Grupi Gunvor, një kompani offshore e lidhur direkt me presidentin rus Vladimir Putin, mund të bëhet pronari i ri i ARMO-s. Syri.net ka mësuar se bosi i i Gunvor, Torbjörn Törnqvist, ka mbërritur këtë të premte në Shqipëri për të zhvilluar një takim sekret me kryeministrin shqiptar Edi Rama, ku do të diskutohet për ARMO-n
Burime të mirëinformuara i thanë Syri.net se charteri privat i Törnqvist mbërriti në Rinas rreth mesditës, prej nga ku kreu i Gunvor është nisur direkt në drejtim të kryeministrisë.
Kjo është hera e dytë brenda pak muajsh që Törnqvist vjen në Shqipëri për t’u takuar në mënyrë sekrete me Edi Ramën. Burimet i thanë Syri.net se këtë herë pritet te negociohen detajet e fundit të marrëveshjes e cila do të kalojë de facto ARMO-n në dorë të Gunvor, ndonëse jo në mënyrë direkte. Formalisht ARMO do të shfrytëzohet nga Byllis Energji, edhe kjo një kompani offshore, por pronarja e vërtetë e saj do të jetë Gunvor.
Madje kjo kompani ka hyrë edhe garante tek Bankers për të siguruar furnizimin e rafinerisë më naftë bruto. Lajmi është konfirmuar për Syri.net edhe nga burime brenda kompanisë Bankers Petroleum.
Finalizimi i një marrëveshje, e cila do i kalonte naftën shqiptare një kompani të lidhur direkt me presidentin rus, Vladimir Putin do të përbentë një tronditje të fortë gjeopolitike duke vënë seriozisht në pikëpyetje marrëdheniet e Shqipërisë me aleatët e saj strategjikë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.
Negociatat
Qeveria i ka mbajtur sekrete negociatat me Gunvor, pasi kompania përflitet si e lidhur direkt me presidentin rus, Vladimir Putin. Në vitin 2014, qeveria amerikane e futi Gunvor, në listën e zezë duke e akuzuar publikisht se pas saj qëndron vetë presidenti Vladimir Putin.
“Aktivitetet e Timchenkos në sektorin energjetik janë të lidhura direkt me Putin. Putin ka investime tek Gunvor dhe mund të ketë akses në fondet e saj,” deklaroi Departamenti Amerikan i Shtetit në mars të vitit 2014. Për shkak të lidhjeve me presidentin rus, në vitin 2014 presidenti amerikan Barack Obama, pezulloi operacionet financiare të Gunvbor në Shtetet e Bashkuara duke i sekuestruar llogaritë bankare.
Bllokimi i llogarive të Gunvor në vitin 2014 është cilësuar nga departamenti i shtetit si goditja goditja më e madhe që qeveria amerikane i ka bërë drejtpërdrejt presidentit rus, Vladimir Putinit.
Ngritja e Gunvor
Grupi Guvnor u themelua vetëm 10 vjet më parë. Por brenda një kohe të shkurtër ai ja doli të shndërrohej në kompaninë më të madhe energjetike të botës. Sigurisht ekspertët dhe Departamenti i Shtetit thonë se pas kësaj ngjitje të rrufeshme qëndron presidenti rus Vladimir Putin.
Aktualisht Gunvor është e regjistruar si kompani offshore në Qipro. Por qendra e saj operacionale është në Gjenevë të Zvicrës. Mësymja e Gunvor në Shqipëri dhe disponibiliteti i qeverisë shqiptare për të negociuar marrëveshje me të hap skenarë të rrezikshëm gjeopolitikë.
Prej dekadash Shqipëria i ka mbajtur larg interesat ruse nga pasuritë energjetike të vendit, edhe pse ambicia e kompanive ruse për të hyrë në Shqipëri ka ekzistuar thuajse gjithë kohën. Por tani duket se ka më shumë se sa thjesht ambicie, pasi Edi Rama po pranon të flirtojë me rusët, një lëvizje që me gjasa do të alarmojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe mund të ketë pasoja të rënda për Shqipërinë.