Policia e Shtetit vijon aksionet në mbarë vendin për të parandaluar kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Në “News24”, Gjovalin Loka, drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë në Policinë e Shtetit, tha se lufta kundër kultivimit të kanabisit është ndarë në tre faza.
Së pari procesi konsistoi në hartimin e kuadrit ligjor, së dyti informimi i qytetarëve dhe sensibilizimi për këtë luftë ndaj drogës, dhe së treti faza ekzekutuese. Ai tha se kontrollet e Policisë së Shtetit vijojnë çdo ditë.
Loka tha se ditën e sotme është zhvilluar një operacion në Krujë, i cili është finalizuar me arrestimin e tre personave, dhe asgjësimin e lëndëve narkotike të gjetura në 3 parcela.
Kreu i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë në Policinë e Shtetit tha se ditën e sotme është zhvilluar një operacion në Krujë, i cili është finalizuar me arrestimin e tre personave, dhe asgjësimin e lëndëve narkotike të gjetura në 3 parcela.
Sipas tij, një prej personave të arrestuar në Krujë, ka një mbiemër të dëgjuar. Loka tha se arrestimi i tyre ka ardhur pas një hetimi disa mujor me prokurorinë e Durrësit.
“Tre të arrestuarit janë persona me precedentë të mëparshëm kriminalë. Ata janë kokat e grupit, por aksioni vijon. Do të ketë të dhëna të reja deri në përfundim të operacionit”, tha Gjovalin Loka, drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë në Policinë e Shtetit.
Sakaq, ai theksoi Kruja, Shkodra, Vlora, dhe Lezha, janë zonat më problematike sa i takon kultivimit të lëndëve narkotike.