Euro vazhdon të dobësohet. Sot, në tregun e këmbimit valutor vendas, vlera e saj ka arritur 124.17/Lekë, një zhvlerësim në nivelet e 0.71 pikëve përqindje në nivel ditor. Shqetësimin për dobësimin e saj e kanë ngritur edhe deputetët e opozitës sot në komisionin e ekonomisë. Sipas demokratëve, pastrimi i parave të drogës, mbetet një nga shkaqet kryesore të nënçmimit të monedhës europiane.

Aldo Bumçi tha se vetëm sektorit eksportues në Shqipëri i shkaktohet një dëm prej 120 milionë Euro në vit, ndërsa më të prekurat mbeten shtresat në nevojë që jetojnë me dërgesat e emigrantëve.

“Çdo qytetar shqiptar për 100 Euro ka humbur 10 Euro”, tha Bumçi.

Pas kërkesës së demokratëve për të marrë masa nga ana e autoriteteve, socialistët thanë se do t’i kërkojnë një analizë të saktë Bankës së Shqipërisë e do të vendosin për disa instrumenta që mund të përdoren në kushtet e këtij zhvlerësimi të monedhës europiane. Komisioni i Ekonomisë pritet të thërrasë në një seancë dëgjimore për çështjen e Euros guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Në tregun e këmbimit vendas, këtë të martë, përveç rublës ruse, të gjitha valutat e huaja u nënçmuan në krahasim me monedhën vendase.

Image

LEAVE A REPLY