Politika e Bankës së Shqipërisë për të frenuar mbiçmimin e tregut valutor ka dhënë ditën e sotme efektet e para të vërteta, duke sjellë një zhvlerësim masiv të lekut ndaj të gjtha valutave të huaja.

Euro është ringjitur në kuotën e 125.4 lekëve, vetëm dy ditë pasi kishte prekur minimumin rekord të 9 viteve të fundit në kuotën e 124 lekëve. Në shitje valuta është edhe më e shtrenjtë, në kuotën e 126.7 lekëve, çka tregon pritshmërinë e agjentëve të tregut të këmbimit për vijimin e rritjes së saj ditët në vazhdim.

Forcimi ka qenë edhe më i ndjeshëm për dollarin amerikan, i cili ka fituar brenda 24 orësh plot 1.5 lekë për njësi, duke u fiksuar tashmë në kuotën e 106.5 lekëve në blerje dhe 107.8 lekëve në shitje. Megjithatë në tregjet ndërkombëtare gjërat nuk duken kaq pozitive për valutën e SHBA, për shkak se pritet një forcim i euros, gjë që e ka çuar raportin mes tyre në 1.178 dollarë për njësi euro.

Në rritje të lehtë paraqitet dhe dollari australian, i cili ka fituar 0.3 lekë për njësi, ndjekur nga dollari kanadez me një rritje prej 0.5 lekësh për njësi dhe franga zvicerane me plot 1.7 lekë për njësi. Franga është kështu valuta që ka rritjen më të madhe ditën e sotme, megjithatë mbetet ende larg niveleve të muajit Shkurt, kur preku kursin e 116 lekëve për njësi.

Ndërkohë, të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë edhe për një rritje të lehtë të jenit japonez, i fiksuar në kuotën e 96.33 lekëve. Zhvlerësimi i lekut është shoqëruar edhe me forcimin e arit dhe argjendit.

LEAVE A REPLY