Me përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, të gjithë ata që agjëruan do t`i kthehen përditshmërisë ditore të tyre, që nga dita e stoem, ku po shënohet Fitër Bajrami.
Rëndësinë e kësaj feste dhe domethënien e saj, e ka treguar për “Indeksonline” profesori në Fakultetin e Studimeve Islamike, Xhabir Hamiti. Ai ka thënë se kjo festë në gjuhën arabe quhet “Iidul fitër”, që do të thotë kthimin e besimtarëve myslimanë në rutinën e tyre.
“Fitër Bajrami është emërtim i përbërë nga dy fjalë të huaja; “fitër” arabisht dhe “bajram” turqisht, kurse nëse në gjuhën shqipe mund të quhet “Festa e Fitrit”. Në arabisht kjo festë quhet “ “Iidul fitër”, e cila ka kuptimin e kthimit në natyrshmëri. Besimtarët mysliman të cilët ishin të përkushtuar gjatë gjithë këtij muaj të Ramazanit, tani kthehen në natyrshmërinë e tyre të përditshme, duke vazhduar orarin e zakonshëm të ushqimit rutinor ditor si dhe gjumit të natës ashtu si edhe më parë”, ka thënë ai.
Hamiti ka folur rreth bindjes dhe praktikës fetare në Kosovë, duke vlerësuar se vendi është në një nivel të duhur sa i përket lirisë për t`i shprehur praktikat fetare. Sipas tij, islami ka rritur të vlerësohet sot më shumë se në të kaluarën dhe se tashmë gëzon respekt sikur gjithë fetë tjera në Kosovë.
Liria e bindjes dhe praktikës fetare në Kosovë si asnjëherë më parë nuk ka qenë më në nivel të duhur sesa në gjithë këto vitet e pasluftës në vendin tonë. Qytetarët e Kosovës sot janë plotësisht të lirë që të shprehin praktikat e tyre fetare. Kjo liri e fituar pas rënies së sistemit komunist i ka dhënë hapësirë shumë të rinjve dhe të reja që fenë e tyre shpirtërore, në këtë rast islame t`a respektojnë dhe vlerësojnë më shumë sesa në të kaluarën. Konsiderojë se Islami në Kosovë gëzon respektin e duhur siç e gëzojnë edhe fetë tjera me të cilat ne bashkëjetojmë dhe ndajmë hapësirën dhe ambientin tonë të përbashkët”, ka thënë Hamiti për “Indeksonline”.
Profesori është shprehur se toleranca ndërfetare në Kosovë është në një harmoni të plotë dhe se kjo duhet të kultivohet.
“Në mesin tonë ekziston një harmoni ndërftare rrënjët e së cilës janë të ngulitura në thellësitë e shekujve të kaluar. Këtë harmoni dhe bashkëjetesë duhet t`a ruajmë dhe ta kultivojmë edhe në të ardhmen, sepse në rast cenimi të saj, e ardhmja e jonë si shoqëri dhe vend është pa destinim dhe shterpë. Plasaritjet fetare në një shoqëri janë agjendë e armiqve të një vendi dhe kombi, janë ogurzi për të ardhmen e një shoqërie civilizuese dhe progresive, prandaj pikërisht në këtë çështje ne gjithmonë duhet të jemi vigjilent dhe të zgjuar për mos lejuar që kjo tendencë të lëshojë rrënjë në mesin tonë”, ka deklaruar Hamiti.
Ai ka shtuar se Fitër Bajramit i gëzohen në veçanti praktikuesit e agjërimit, të cilët ndiejnë një satisfaksion të thellë shpirtëror për arritjen e përmbushjes së njërës nga rregullat më strikte dhe sfiduese për ta.
Në rrafshin social, Bajrami është një ditë e cila i bashkon anëtarët e familjes dhe rrethin e ngushtë, zbutë zemrat e njerëzve, rritë ngrohtësinë familjare si dhe sjell në pah solidaritetin dhe dashurinë më shumë se në çdo kohë tjetër.