Austria bisedime me Shqipërinë për refugjatët

0
711

Qeveria austriake po zhvillon bisedime me qeverinë shqiptare me qëllim ngritjen e një kampi për emigrantët që vijnë nga vendet e treta. Lajmi bëhet i ditur nga zëdhënësi i qeverisë austriake, i cili në përgjigje të interesimit të prestigjiozes “Deutsche Welle” shprehet se klandestinët do të kthehen në vendet pritëse pas një periudhe të shkurtër qëndrimi në këto kampe.

Qeveria austriake ka nisur bisedimet me qeverinë shqiptare për të ndërtuar kampin e pritjes së refugjatëve në vendin tonë.

Deklarata është bërë nga zëdhënësi i qeverisë austriake Peter Launsky-Tieffenthal në përgjigje të Deutsche Welle.

Në emailin e dërguar për prestigjozen gjermane, zëdhënësi specifikon se emigrantët do të kthehen në vendin e tyre pas pritjes në këto qendra.

Peter Launsky-Tieffenthal: Emigrantët ilegalë pas aksioneve të shpëtimit, duhet të mbahen e të ushtrohet përkujdesje për ta në kufinjtë e jashtëm të Europës, e më pas sa më shpejt të jetë e mundur, ata duhet të kthehen mbrapsht në vendet e tyre të origjinës. Nëse kjo gjë nuk do të ishte e mundur, atëherë atyre duhet t’u ofrohet strehim i përkohshëm në qendrat e refugjatëve në vende të treat të sigurta. Rreth ngritjes së një qendre për refugjatët ndërkohë po mbahen bisedime ndër të tjera edhe me Shqipërinë.

Deklarata e tij vjen në kohën kur në Shqipëri ka nisur debati për pritjen e 600 mijë emigrantëve nga Siria, Iraku, Afganistani apo dhe Afrika veriore.

Prej qeverisë shqiptare deri më tani është deklaruar se nuk ka asnjë kërkesë të tillë, madje duke theksuar se vendi ynë nuk i ka kapacitetet pritëse për një numër të tillë klandestinësh.

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, ishte i pari që hodhi idenë e ndërtimit të këtyre kampeve në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Një propozim i ngjashëm vjen nga Presidenti e BE-së, Donald Tusk, i cili thotë se emigrantët duhet të grumbullohen jashtë Bashkimit Europian.

Ndërsa komisioneri Avramopulos është shprehur se kampet do të ngrihen në Afrikë por dhe në Evropë, por jashtë Unionit.

Në artikullin e Deutsche Welle bëhet me dije se në qarqet diplomatike thuhet se Shqipëria është e gatshme të marrë përgjegjësi për këto çeshtje, ku më i fortë ishte deklarimi i zv/ministrit të brendshëm, Julian Hodaj për një media të huaj, ku u shpreh se Shqipëria ka kapacitet të mbajnë 600 mijë emigrantë nga vendet e treta, në një rast hipotetik ashtu sikurse ka pritur dhe kosovarët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here