Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha e quan fatal faktin nëse Shqipërisë nuk i hapen negociatat.
Duke folur në një intervistë Gjosha thotë se Holanda është e drejtpërdrejtë në atë që kërkon nga Shqipëria, që të vendosë pro hapjes së negociatave me BE-në.
Intervista e Klajda Gjoshës:
Janë të shumta debatet që po zhvillohen, në fakt një ditë më parë në komisionin për çështjet e Europës në parlamentin e Hollandës është diskutuar pikëisht çështja e hapjes së negociatave për Shqipërinë po ashtu edhe për Maqedoninë. Debati në parlament u zhvillua në një klimë e cila ka qenë skeptike. Sipas jush si do të jetë vota përfundimtare e Hollandës?
Ajo çka ka ndodhur dje në komisionin për çështjet e Europës të parlamentit hollandez ishte një debat pasues i gjithë vizitës që kanë pasur edhe parlamentarët hollandez pak muaj më parë në Shqipëri. Unë kam qenë dhe në studion tuaj ku kam komentuar pikërisht atë vizitë por edhe qëndrimin e Hollandës dhe mund tu them se dje ata kanë detajuar qëndrimin e tyre ndaj Shqipërisë jo vetëm me një skepticizëm të plotësimit të gjithë kushteve në përgjithësi por duke targetuar dy nga çështjet kryesore që kanë qenë dhe aq shumë të diskutuara edhe në vendin tonë. Që kanë pikërisht të bëjnë me krimin e organizuar me trafikun e drogës si dhe çështjet e korrupsionit. Dhe besoj duke e detajuar dhe duke u fokusuar në këto çështje ata duken që janë shumë konkret dhe shumë të drejtë në kërkesat e tyre ndaj qeverisë shqiptare para çeljes së negociatave. Nuk është një lajm i mirë sepse nuk mendoj që do të kishte ndonjë qeveri të BE, dhe të vendeve anëtare apo dhe Hollanda dje që do të shkonte kundër vendimit të parlamentit apo dhe të komisionit kryesor që raporton mbi çështjet e procesit të integrimit të Shqipërisë por edhe të gjitha vendeve aspirante, paketa e zgjerimit e cila do të diskutohet në datën 26 midis ministrave të jashtëm në Bruksel. Por dhe më pas konkluzionet që do të miratohen nga krerët e këtyre vendeve në datën 28 dhe datën 29 qershor.
Pra gjykoni se ky skepticizëm i Hollandës nuk varet ndaj atyre që kanë qenë aktivitetet e fundit në vendin tonë pra flasim për protestat apo dhe zhvillimet me çështjen e ish-Ministrit Tahiri dhe ministrit aktual Xhafa. Mendoni që është një spekticizëm me problemet që shqetësojnë Shqipërinë prej kohësh apo jo?
Unë mendoij që ata dje kanë qenë shumë të qartë. Hollanda si gjithmonë është shumë e drejtpërdrejtë. Nuk përdoin shumë diplomaci në komunikim janë të drejtpërdrejt te kërkesat e tyre. Krimi i organizuar besoj që shpjegon gjithçka, shpjegon edhe faktin e trafikut të drograve të rënda që e ka pasur problem Shqipëria edhe gjatë muajve të fundit. Ka qenë një nga çështjet më të diskutuara. Unë e rispësëris që kjo është një çështje që ka cënuar deri diku sigurinë e tyre kombëtare. E them këtë sepse ka disa grupe kriminale shqiptare të vendosura në Hollandë. Dhe nuk kam parë intensifikim të marrëdhënieve të institucioneve shqiptare me institucionet hollandeze për ta zgjidhur këtë çështje. Për të kapur një nga këto grupe, për të treguar që me të vërtet ne kemi seriozitet për të luftuar krimin e organizuar. Kuptohet që te kjo pikë debati mund të ketë qenë, askush nga ne nuk ka qenë aty për të ditur përmendjen e emrave po kur flitet për krimin e organizuar kuptohet që dhe çështja e ngritur së fundmi, ajo e ish-Ministrit të brendshëm apo edhe e ministrit aktual janë çështje që kanë tronditur sadopak besimin që kanë vendet anëtare dhe sidomos Hollanda si një nga vendet më strikte te bashkëpunimi me Shqipërinë, tek partneriteti me Shqipërinë, tek besueshmëria që ata duhet të kenë, tek një vend që në fund të fundit ata duan te vazhdojnë procesin e mëtejshëm të negociatave.
Kur flasim për korrupsionin dhe krimin e organizuar cili është mesazhi që Hollanda po përpiqet ti sjellë Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare?
Është mesazh shumë i qartë, ju keni disa kushte, kanë qenë të vendosura në tryezën e politikës shqiptare, të ekzekutivit shqiptar dhe të institucioneve tona tashmë prej një kohe të gjatë. Besoj që nuk ka pasur asnjë lloj kundërpërgjigje, të paktën dhe nga pala shqiptare dhe kjo e ka bërë Hollandën të vijë në këtë vendim të trishtë do thoja unë të parlamentit të vet. Unë mendoj që ne duhet të tregohemi të kujdesshëm, duhet të respektojmë vendimin që do të marrin të gjitha vendet anëtare në unanimitet. Pra nuk mbetet vetëm çështja e Hollandës. Këtu po të shohim diskutimi është mjaft i gjerë dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm për të kuptuar se cili është mesazhi që ata po i japin qeverisë shqiptare. Cili është mesazhi që duan të përçojnë pra puna që ata kërkojnë. Konkretizimi i kësaj pune të nisur prej kohësh. Sepse ne po shohim që ka kushte tashmë të shtuara tashmë dhe nga Gjermania. PO-ja e Gjermanisë me kushte është e cunguar, nuk do të thotë automatikisht çelje negociatash, përkundrazi do të thotë shtim të kushteve dhe unë besoj që ky është një nga lajmet më të trishta që ka Shqipëria sepse në vend që të pakësojë ato kushte, pra 5 kushte të vendosura nga KE dhe na vendet anëtare, shohim që ka shtim të tyre. Kemi të bëjmë me reformën zgjedhore të kërkuar prej tyre prej disa kohësh. Kemi të bëjmë me çështjet e krimit të organizuar, të trafikimit të qenieve njerëzore, të pastrimit të parave, një sërë e një sërë çështjesh që e mbajnë peng këtë vend. Dhe deri në këtë pikë që ka ardhur procesi i integrimit e gjithë kjo duhet të ketë patjetër një përgjegjës dhe nëse do të kemi dhe JO-në e prerë nga vendet BE javës që vjen unë besoj që kryeministri shqiptar, qeveria e tij duhet patjetër të mbajë përgjegjësi kundrejt qytetarëve shqiptarë, kundrejt atyre që me të vërtet besuan se kjo qeveri do ta çonte Shqipërinë drejt BE por që në fakt po e çon atë shumë hapa më pas.
Mendoni se mund të ketë një shkëputje të Shqipërisë nga Maqedonia të paktën nëse flasim për çeljen e negociatave në situatën aktuale?
Maqedonia ndryshon nga Shqipëria sepse ka pasur vetëm një kusht, pikërisht ka pasur të bëjë me marrëveshjen që do të kishte për emrin me Greqinë. Është një kusht deri diku i plotësuar pavaresisht se vendet anëtare ende kërkojnë vazhdimin e mëtejshëm të kësaj marrëveshje, fillimin e implementimit të saj, ratifikimin e mëtejshëm të saj dhe mendoj që disa prej këtyre vendeve mund të jenë skeptike për ta parë të realizuar plotësisht marrëveshjen e lidhur mes Maqedonisë dhe Greqisë. Dhe ndër të tjera ata kërkojnë që Greqia tashmë do duhet ti drejtohet zyrtarisht vendeve anëtare për çeljen e negociatave të Maqedonisë sepse ka qenë pikërisht Greqia ajo që ka vendosur veton kundër Maqedonisë.
Çfarë do të thotë për Shqipërinë që të shkëputet nga Maqedonia? A do të futet në grup me Bosnjen dhe me Kosovën?
Kjo do të ishte një nga vendimet më të rënda që do të ishte ndërmarrë ndonjëherë kundrejt qytetarevë shqiptarë dhe kundrejt Shqipërisë për procesin e integrimit europian. Unë mendoj që dhe nga ana gjeostrategjike për mënyrën sesi mendon BE ndoshta këto dy vende do duhet të vlerësohen të dyja së bashku por nëse ndahen dhe nëse Maqedonia kalon duke lënë pas Shqipërinë besoj që ky do të ishte vendimi më i rënde dhe mesazhi më i drejtpërdrejt që vendet anëtare do ti jepnin ndonjëherë Shqipëisë dhe kryesisht unë nuk mendoj që ky është një vendim për qytetarët. Do të ishte një vendim i drejtpërdrejt për ti treguar qeverisë shqiptare që është në rrugën e gabuar dhe se nuk është partneriteti i duhur për BE.
A mund të themi se janë tre vende me shumicë myslimane ato që mbeten në fund të karvanit të integrimit. Mendoni se ka ndonjë kriter fetar në këtë rast?
Absolutisht. E kam dëgjuar këtë çështje prej vitesh. Të paktën është luajtur si e tillë kuptohet edhe për te shtyrë procesin e integrimit përpara apo ndonjëherë dhe për të shantazhuar vendet e BE. Unë nuk e mendoj dhe nuk e besoj që ky është një nga arsyet. Sepse Shqipëria po bën hapa pas. Sepse ajo çka ka shprehur Hollanda dje, ajo çka ka shprehur Gjermania, Franca dhe shumë vende të tjera, shqetësimet e tyre për mënyrën sesi funksionon shteti i së drejtës në Shqipëri, për mënyrën sesi krimi i organizuar ka pushtuar këtë vend dhe ka kaluar përtej kufijve shqiptar duke cenuar sigurinë europiane, ky është realiteti i trishtë që kemi dhe këto janë arsyet e vërteta te të cilat ne duhet të uleni ti lexojmë ato shumë drejtë dhe duhet vepruar në mënyrë shumë të mënjëhershme. Shqipëria nuk ka kohë për të humbur.
Një nga çështjet që ka hasur debat është dhe fakti që Hollanda e ka pranuar atë që ka qenë dhe propozimi i Donald Lu në mënyrë që të krijohen platforma të azilkërkimit në vendet të cilat janë jashtë BE. A mendoni se nëse Shqipëria bëhet një vend pritës dhe strehuese për azilkërkuesit mund të marrë një dritë jeshile?
E para kërkohet një transparencë e plotë nga kryeministri i vendit dhe nga qeveria shqiptare nëse janë kryer bisedime të tilla me vendet e BE. Sepse unë nuk mendoj që BE funksionon në arbitraritet të plotë duke e detyruar Shqipërinë apo duke sjellë këtu mundesinë e një kampi të azilkërkuesve pa pyetur apo pa diskutuar më parë dhe pa marrë le të themi atë aprovimin e qeverise shqiptare. Ndaj para se të shkojmë për të analizuar se çfarë po diskutojnë vendet anëtare, sesa azilkërkues do të vijnë. Sesa shumë e cënon ajo sigurinë tonë kombëtare dhe pamundësinë e institucioneve tona per tiu kundërpërgjigjur apo për të mbrojtur qytetarët shqiptarë në rradhë të parë dhe më pas për të kaluar te azilkërkuesit, une mendoj që media shqiptare, grupet e interesit, qytetarët shqiptarë dhe institucionet duhet të kërkojnë informacion, transparencën e plote kryeministrit të vendit për të kuptuar nëse ai ka diskutuar me vendet anëtare për këtë çështje, çfarë ka diskutuar, cila është marrëveshja që ai ka bërë. A ka aprovuar ai ngritjen e një kampi të tillë në Shqipëri apo jo. Ky është thelbi i këtij debati.
Nuk ka patur një deklaratë të tillë ose ndoshta nuk e dimë ende se do të ketë një transparëncë në lidhje me këtë gjë nëse ka pasur kërkesë për këtë gjë ndaj qeverisë shqiptare…
Po do duhet të ketë patjetër, sepse është e pamundur që BE të funksionojë në arbitraritet duke detyruar Shqipërinë të ngrejë një kamp të tillë. Duhen dy palë për një marrëveshje. Ndaj dhe besoj që qeveria shqiptare duhet ti tregojë qytetareve se çfarë ka diskutuar me ta.
Sot ka pasur një shkrim nga Deutch Ëelle, ku shkruhej se ka patur debate të brendshme në Gjermani për çështjen e kampeve të azilkërkuesve. Në këtë klimë mendoni se Gjermania mund ti bashkohet edhe idese për ngritjen e kampeve të refugjatëve në Shqipëri?
Se çfarë diskutohet në këto momente është çështje dytësore, parësore është transparenca që qeveria duhet të bëjë për këtë çështje dhe patjetër të gjithë bashkë ne më pas mund ta analizojmë pse është e rëndësishme që këta refugjatë të mos vijnë në Shqipëri. Sepse Shqipëria nuk është e gatshme për të përballuar kampin e refugjatëve , sepse Shqipëria vuan mjaftueshëm nga trafikimi i qenieve njerezore edhe pa pasur refugjatë. Imagjinoni ju nëse do të kishim një kamp refugjatësh në Shqipëri, sesi do të lulëzonte një biznes tjetër në Shqipëri që do të bëhej edhe një barrë e shtuar për të gjithë procesin e integrimit dhe besueshmërinë që duhet të kishte vendi. Por edhe sesa shumë rrezikohemi ne nga e gjithë kjo histori që diskutohet për ngritjen e një kampi refugjatësh. Ka dy momente dhe ne duhet ti ndajmë ato. E para është transparenca dhe më pas për të bërë analizën dhe për tu përgjigjur vendeve anëtare.
Kryeministri nga Saranda e ka theksuar se nuk ka patur negociata…
Kjo mbetet për tu parë. Mediat e huaja thonë diçka tjetër dhe t’iu them të vërtetën në këto momente unë jam më e prirur t’i besoj ato sesa qeverinë.
A mendoni se është duke e përdorur aktualisht opozita edhe çështjen e negociatave për të sulmuar mazhorancën, teksa deklaron në fakt që Gjermania është kundër çeljes së bisedimeve me Shqipërinë por ndërkohë gjithçka është në kuadër të diskutimeve në Bundestag…
Në asnjë moment ne nuk e kemi përdorur këtë politikisht, përkundrazi unë e ritheksoj ky është një proces teknik. Një proces që ka të bëjë me standardin e jetës së qytetarëve shqiptarë. Unë mendoj që negociatat duhet të ishin çelur dje, jo sot. Sot është vonë. Edhe ky diskutim që bëhet mes vendeve anëtare patjetër që e vonon Shqipërinë në hapat e mëtejshëm që do duhet të ndërmarrë. Gjithmonë jam prirur që çelja e negociatave do ta vendosë Shqipërinë në kuadrin dhe në kornizën e plotë të rregullave dhe të standardeve të munguara, të një monitorimi shumë herë më të rreptë për shtetin e së drejtës dhe për mënyrën sesi duhet të funksionojnë institucionet në këtë vend. Për mënyrën sesi qeveria nuk mund të veprojë në arbitraritet të plotë kundrejt qytetarëve dhe institucioneve të tjera. Pra duhet të mësojë të dëgjojë dhe të ulet të analizojë bashkë me ta para se të marrë vendime të rëndësishme, që kanë një lidhje dhe një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Ky është një proces tërësisht teknik. Nuk është proces politik. Ndaj dhe unë them që në këtë kuadër opozita ka mbajtur një qëndrim jashtëzakonisht shumë të drejtë për ta ndihmuar vendin dhe për të vazhduar më tej me procesin e integrimit europian.
Në fakt ne përmendëm deri në këto momente Holandën si një nga vendet më skeptike, por edhe Franca hyn tek vendet më skeptike për sa i përket çeljes së negociatave për të dhënë një kohë për Shqipërinë. Duke qenë se është një nga vendet kryesore të Bashkimit Europian a mendoni se mund të ketë një votë negative në datë 28?
Kjo do të shikohet. Patjetër që unë nuk mund të paragjykoj asnjë vendim të Francës apo të asnjë vendi anëtar tjetër të Bashkimit Europian. Franca ka pasur një problem të jashtëzakonshëm me Shqipërinë, gjë të cilën unë e kam theksuar prej kohësh. Ka qenë çështja e azilkërkuesve. Dhe për sa kohë numri i shqiptarëve në Francë vazhdon të mbetet i lartë, kjo ka përbërë një problem madhor për vendimin që Franca do të merrte për çështjen e negociatave të Shqipërisë. Unë mendoj që ata e kanë shprehur këtë si shqetësim. Ja kanë shprehur këtë kryeministrit dhe gjithë institucioneve shqiptare. Besoj se edhe vendimi I tyre do të rrotullohet pra dhe do të shikohet gjerë edhe në këtë këndvështrim duke parë problematikën që Franca e ka të mbartur me Shqipërinë. Dhe ajo çka do të duhet të bëjmë është ajo që unë thashë më parë. Duhet të bëjmë një analizë të thellë të gjithë problematikave që vendet anëtare do të ngrenë për Shqipërinë.
Kur flisni për një analizë mendoni se jemi ende në kohë për ta bërë këtë analizë tashmë? Jemi vetëm pak ditë para përgjigjes që do të marrë Shqipëria…
Kjo analizë nuk ka më të bëjë me vendimin e javës që vjen sepse është shumë vonë tashmë për të paraqitur raporte apo ndryshimeve të të dhënave dhe fakteve që institucionet mund t’i paraqesin vendeve anëtare. Kjo analizë do duhet bërë për vazhdimësinë e këtij procesi sepse ky është i vetmi proces që garanton standardet e jetës së qytetarëve shqiptarë. Që garanton të ardhmen e sigurtë të një Shqipërie Europiane dhe që në fund të fundit na fut në shinat e duhura të një sistemi demokratik. Është një tick për Shqipërinë. Shqipëria nuk ka asnjë perspektivë tjetër përveç asaj për t’iu bashkuar vlerave të Bashkimit Europian. Dhe besoj që puna nuk duhet të ndalet asnjë moment, cilido të jetë vendimi analiza do duhet të kryhet një orë e më parë ashtu sikurse unë e kam thënë që kjo analizë duhet të ishte kryer që në momentin që doli raporti i KE në 17 prill i cili ishte me të vërtet shumë i detajuar. Dhe unë e ripërsëris, ai raport dhe ai rekomandim nuk ishte pa kushte, vendet anëtare te ai rekomandim përshtateshin me kushtet e veta, me problematikat që ata janë ndeshur shpeshherë me Shqipërinë. Pra rekomandimi ishte me kushte dhe besoj që edhe koha pak a shumë po më jep të drejtë tek ai arsyetim që unë bëra edhe para dy muajsh.
Ju theksuat në fakt pak më parë se qeveria shqiptare do duhej që të mbajë përgjegjësinë nëse ka një votim kundër për Shqipërinë. A do të kërkoni zgjedhje të parakohshme nëse kjo ndodh?
Këto janë çështje që do të lihen dhe do të shikohen edhe më pas. Megjithatë e rëndësishme është që ne tashmë të fokusohemi tek java që vjen për të pritur edhe vendimin përfundimtar të vendeve anëtare. Unë besoj që edhe qytetarët shqiptarë sytë i kanë nga vendet anëtare për të parë sesi kanë funksionuar vendi deri në këto momente. A jemi ne në rrugën e duhur apo jo dhe kjo është më e rëndësishme. Një JO për Shqipërinë do të ishte fatale për rrugëtimin europian të Shqipërisë sepse do duhej të prisnim një kohë shumë të gjatë deri në takimin e radhës të vendeve anëtare apo të konkluzioneve të mundshme që ato do të merrnin bazuar mbi gjithë setin e kushteve të reja tashmë që mund ti vendosen Shqipërisë.