Nuk e di përse, ndoshta nga shkronja e fundit, por gjithnjë kur është folur për qytetin e Shkodrës, imazhi i saj njerëzor është kristalizuar në një grua. Prandaj asnjëherë nuk thuhet “Zoti Shkodër”, por gjithnjë “Zoja Shkodër”. Me të vërtetë, Shkodra është një Zojë e madhe e cila rri ulur në një fron historie plot xhevahirë figurash të shquara.
Ndër këto xhevahirë, ndrijnë emra nga më të hershmit, deri tek më të rinjtë, ku një prej tyre është Atë Marin Barleti. Duke u bazuar në veprën e tij “Rrethimi i Shkodrës”, kuptojmë se si Shkodra ishte, ndonëse paraqitjet gjeografike të Barletit, në disa raste, lënë për të dëshiruar.

Zoja Shkodër, përpos fronit të historisë, ka mbi kokë një vello kulture të thurur prej cope shkodrane, rizë zadrimoreje e shami mirditoreje. Pasi dihet, Shkodra nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë vetëm e shkodranëve, por ka qenë, është dhe do të jetë e thuajse gjithë veriut.
Pranë saj, një megafon i vjetër sa epet homerike luan këngë të cilat kanë mbushur me shpirtin e melodisë së tyre gjithë shpirtrat e dëgjuesve shkodranë, dëgjues të rregullt e të mbrumur me dashni për këngën.
Para saj, një skenë druri e mbuluar nga dy perde të kuqërremta mban në shpinë aktorë të shquar që luajnë pjesë operistike e teatrale edhe më të shquara se ato vetë.
Krah saj, në këmbët e kurorës që mban emrin “Rozafat”, një shenjtërore e vogël mbushur plot me njerëz që me sytë nga qielli kërkojnë hire, ngrihet me një kraharor bosh. Në të mungon figurja e Zojës së Shkodrës, figurë e cila u largua bashkë me engjët për t’i shpëtuar pushtimit osman.

Legjenda thotë se Zoja, duke ndjerë ardhjen e osmanëve, për të shpëtuar nga dhuna e tmerrshme që ato sillnin me vete, i kërkoi engjëjve ta merrnin e ta largonin nga aty. Engjëjt iu bindën dhe me të në krah shkuan deri në Gjenacano të Italisë, ku akoma dhe sot Zoja e Shkodrës pret e përcjell besimtarë të shumtë.


Kështu, një zojë që një gji mban një tjetër Zojë është ajo çfarë më mirë mund të tregojë se si e se çfarë Shkodra është.