Nuk ka ndryshime të kritereve për pranimet në Universitete, por një pjesë e kuotave kanë pësuar rritje të lehtë. Ekonomiku do të ketë 1300 kuota, Mjekësia 340, Farmacia 100 dhe Stomatologjia 100 kuota.
Universitetet kanë miratuar në nivel senati kuotat dhe kriteret e pranimeve për studentët e vitit akademik 2018-2019.
Propozimet e tyre pritet të marrin dhe miratimin e Ministrisë së Arsimit. Ora News bisedoi me rektorin e mjekësisë, Arben Gjata, dhe dekanin e Ekonomikut Dhori Kule.
Kuotat në Mjekësi kanë pësuar një rritje të lehtë.
Arben Gjata: Kuotat janë pothuajse në nivelin e vjetshëm. Pra ka një rritje të lehtë, Mjekësia ka 300 kuota pranimi megjithë transferimet shkon rreth 340, ndërsa Farmacia dhe Stomatologjia janë në rangun e mbi 100 pranimeve. Edhe këtu ka një rritje të lehtë.
Në fakultetin e Ekonomisë kuotat janë 1300 dhe kriteret janë të njëjta me ato të viteve të mëparshme.
Dhori Kule: Kuotat e pranimit i kemi si vitin e kaluar, janë rreth 1300 pranime. Kriteret janë po ato që kanë qenë në dy vitet e mëparshme. Ato kritere janë testuar dhe na kanë sjellë maturantë shumë të mirë.
Maturantët janë në një moment të rendësishëm për edukimin e tyre; kë program dhe kë universitet do të zgjedhin.
Profeor Kule ka këtë mesazh:
Dhori Kule: Problemi i akreditimit që promovohet ndonjëherë është akreditimi institucional, jo ai akademike. Edhe për akreditimin institucional tashmë situata është qartësuar, projekt raporti është prezent. Ministria e Arsimit ka detyrimin që pr/ raportin ta kthejë në raport, të bëjë rekomandimet sipas ligjit dhe të mbyllet ai propblem që është administrativ, jo akademik. Të mirët do të vijnë tek i miri, maturantët më të mirë do të vijnë tek Universiteti më i mirë që ka Shqipëria.
Ndërsa rektori i Mjekësisë Gjata ka projekte të rëndësishme për Universitetin.
Arben Gjata: Kur studentët shkojnë pranë shtratit të të sëmurit nuk do kenë më një pedagog që do merret me ta, por do jenë 2-3 studentë me një mjek, i cili do të mbajë gjatë gjithë kohës së praktikës. Do jetë prapa këtyre që të përfitojnë shumë nga ana praktike. Jemi duke bërë përpjekjet dhe shpresojmë që do ti konkretizojmë për krijimin e një qendre stimulimi klinike, në mënyrë që studentët para se të shkojnë tek shtrati i të sëmurit do të merren me pacientet, të kenë mundësi të ushtrohen me mulazhe.
Maturantët përfunduan sfidat e tyre të testimit të mbylljes së një cikli.
Pas publikimit të rezultateve, ata do të vijojnë procesin për zgjedhjen e Universiteteve.