Dibra do të kujtojë përherë kapiten Floran Delia, pilotin e Forcës Ajrore, i cili humbi jetën në një aksidenti ajror 2 vjet më parë.
Në një ceremoni të zhvilluar në mjediset e Pallatit të Kulturës në Peshkopi, me vendim të Këshillit Bashkiak, ku merrnin pjesë familjarë, kolegë dhe qytetarë të Peshkopisë, kapiteni Floran Delia u nderua me titullin “Qytetar Nderi” (pas vdekjes).
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, në fjalën e rastit u shpreh se kujtimi i heronjve të FA të rënë në krye të detyrës është njëherësh angazhim për vëmendjen që meritojnë ushtarakët shqiptarë.
Xhaçka: “Ky angazhim solemn që në fakt më takon ta marr edhe personalisht në cilësisnë e ministres së Mbrojtjes, na detyron të gjithëve të kujtojmë me shumë respekt sakrificën e të gjithë atyre që nuk jetojnë më. Njëherësh është edhe angazhim për të nderuar të gjithë ushtarakët që i shërbejnë atdheut, që kanë marr përsipër të rrezikojnë edhe jetën e tyre për të bërë profesionin shumë të nderuar të ushtarakut, por edhe profesionin e rrezikshëm të pilotit”.
Ministrja e Mbrojtjes falenderoi qytetarët e Dibrës për këtë gjest bujar:
Xhaçka: “Shumë faleminderit qytetarëve të Dibrës për këtë gjest bujar por shumë të merituar për heorin tonë. Dhe duke nderuar Floranin njëherësh keni nderuar vlerësuar kontributin e secilit prej 8 mijë efektivëve të FA për të kontribuar për sigurinë e vendit dhe për jetën e çdo qytetari të Republikës të Shqipërisë”.
Me vendim të Këshillit Bashkiak, edhe rruga Ceren – Radomirë do të mbajë emrin e kapitenit të lindur e rritur në Dibër.
Kapiten Floran Delia dhe toger Donald Hoxha, ranë në krye të detyrës në mesditën e 6 prillit të vitit 2016 gjatë një fluturimi stërvitor në Grizhë të Malësisë së Madhe.
Të dy ushtarakët janë shpallur ‘’Dëshmorët e Atdheut’’ nga Komisioni Shtetëror për Dëshmorët.