Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim Presidentin e Bashkimit të Transmetuesve Evropianë (EBU), z.Jean-Paul Philippot dhe Drejtorin e Përgjithshëm të EBU, z.Noel Curran.
Presidenti Meta vlerësoi zhvillimin në Tiranë, nën kujdesin e Radio Televizionit Publik Shqiptar, të mbledhjes së Asamblesë së 80-të të Përgjithshme të EBU.
Kreu i shtetit çmoi dedikimin e këtij organizmi për ta bërë shërbimin e medias publike të domosdoshëm dhe inkurajoi drejtuesit e lartë të EBU për të fuqizuar marrëdhëniet dhe forcuar më tej bashkëpunimin me RTSH, me qëllim modernizimin e rritjen e mëtejshme profesionale të këtij medium publik.
Kreu i Shtetit theksoi gjithashtu se liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për respektimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike si dhe shprehu solidarizimin e tij të plotë me komunitetin e gazetarëve.
Në këtë drejtim, theksoi Presidenti Meta, është e nevojshme mbështetja dhe forcimi i mëtejshëm i Radio Televizonit Publik Shqiptar.