“Më mirë në një burg në Itali, se sa i papunë në Shqipëri. Të paktën në burg do të ha për një vit falas”, është shprehur 45-vjeçari vlonjat Milto Dosi në një intervistë për gazetën italiane ilGiornale.it.
Paratë e fundit që i kishin mbetur i përdori për të blerë një biletë trageti me të cilën do të mund të udhëtonte në Itali. Pasi u përshëndet me familjarët, Dosi zbriti në Ancona dhe u paraqit në rajonin e policisë.
Gjashtë vite më parë, vlonjati u dënua me 3 vite burg për trafik droge në Itali. Por në vitin 2014, ai u dëbua dhe nuk duhet të shkelte më në Itali për 10 vjet.
Megjithatë kjo nuk ndodhi pasi u thirr për të shlyer edhe dënimin që i kishte mbetur. Ai i habiti të gjithë kur u shfaq i qeshur që po rikthehej në burg: “Tentova të bëhesha shofer kamioni por policëve në vendet e Europës u dilte dekreti i dëbimit dhe më kthenin mbrapsht”.
“Nuk kam me çfarë të ushqej familjen. Kështu që u riktheva të mbaroj dënimin që më pas të punoj pa probleme,” tha Milto për iLGiornale.