Kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili ka ngarkuar me përgjegjësi për bllokimin e integrimit europian, ambasadoren e BE-së në Tiranë Romana Vlahutin.
Pas tryezës për konkluzionet e BE-së për Shqipërinë, ku Vlahutin kërkoi bashkëpunim nga opozita, Vasili ka reaguar me një status në “Facebook”, ku thotë se ambasadorja ka qenë konseguente në qëndrimet proqeveritare. Sipas tij, Vlahutin ka bërë gjithçka që dialogu mes maxhorancës dhe opozitës të mos ekzistojë.
STATUSI I VASILIT
Ç’siklet apo detyrim ka Vlahutin, që nuk hesht edhe tani që dështoi.
Vlahutin konseguente në qëndrimet e saj qesharake proqeveritare dhe zëdhënëse edhe më e zellshme se qeveria vetë, foli përsëri sot.
Pasi promovoi e mbështeti me korrik të 2016 miratimin e njëanshëm të reformës në drejtësi vetëm nga maxhoranca qoftë edhe me vota të blera, pavarësisht se miratimi konsensual me 140 vota bëri që të dështonte një skenar i tillë i turpshëm.
Pasi bekoi së bashku me Euralius zgjedhjen e turpshme, antikushtetuese dhe kundër komisionit të Venecias, të prokurorit të përgjithshëm.
Pasi mbylli gojën për trafikun gjigantesk të drogës dhe dezinformoi shqiptarët e evropianët duke u thënë se “ishte e mahnitur nga rezultatet e qeverisë në luftën kundër drogës”.
Sot Vlahutin po kërkon shtrirjen e dorës nga opozita për dialog.
A është e ndërgjegjshme se ç’kërkon kjo zonjë, që ka bërë gjithçka që dialogu të mos ekzistojë duke mbështetur verbërisht qeverinë?
Vlahutin ka përgjegjësi të mëdha për bllokimin e integrimit europian të Shqipërisë dhe ndihma e fundit mbase e vetmja ndihmë e dobishme për Shqipërinë do të ishte që Vlahutin të heshte.
Pra hesht Vlahutin!!