Austria mirëpret hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe integrimin e shpejtë të të gjitha vendeve në Ballkanin Perëndimor në BE. Kancelari Austriak Sebastian Kurz e shprehu këtë qëndrim gjatë prezantimit te prioriteteve të presidencës gjashtë mujore të Bashkimit Europian në Strasburg.
“Një tjetër çështje që presidenca austriake ka për zemër është Europa Juglindore dhe veçanërisht Ballkani Perëndimor. Në këndvështrimin tonë, Bashkimi Europian do të jetë i plotë vetëm kur vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë bërë pjesë e komunitetit të kombeve tona. Ballkani Perëndimor jo vetëm që ka një perspektivë europiane, të cilën këto vende e kanë fituar dhe e meritojnë, por ato meritojnë gjithashtu anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ndaj, presidenca austriake do të bëjë më të mirën për të mbështetur procesin e anëtarësimit të këtyre vendeve në BE”, ka deklaruar Kurz.
Padyshim që pjesa më e rëndësishme e prezantimit të tij kishte të bënte me çështjen e emigracionit të paligjshëm me të cilën po përballet Bashkimi Europian. Sipas analistëve, nuk bëhet fjalë për një krizë emigracioni pasi ajo nuk është aq e theksuar sa në vitin 2015, por bëhet fjalë për një krizë politike mes vendeve të unionit.