Shifrat zyrtare, vitin e kaluar BSH bleu në treg 72 milionë euro

0
601

Lufta e Bankës së Shqipërisë për të përmbajtur  zhvlerësimin e euros ka nisur që vitin e kaluar edhe pse nuk është deklaruar zyrtarisht. Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2017, Banka e Shqipërisë bleu sasinë rekord 72 milionë euro nga tregu i brendshëm përmes 7 ankandeve të ndryshme.

Sipas të dhënave, seria e blerjeve ka nisur në muajin prill, pikërisht dy muaj para zgjedhjeve Parlamentare dhe ka vazhduar thuajse përgjatë gjithë vitit. Më 10 prill 2017, Banka e Shqipërisë bleu 8.7 milionë euro përmes një ankandi të vetëm. Pas këtij ankandi Banka ka blerë sërish në të gjithë muajt pasardhës të vitit në shifra që variojnë nga 6 deri në 13 milionë euro.

Blerja masive e euros gjatë vitit të kaluar është një fenomen thuajse i jashtëzakonshëm. Për herë të fundit Banka e Shqipërisë kishte blerë euro në vitin 2015, por në sasi shumë më të vogla, rreth 22 milionë euro, ndërkohë që për 2016-ën BSH nuk ka blerë fare euro nga tregu.

Vitin e kaluar, pikërisht gjatë fushatës elektorale euro filloi të binte me shpejtësi ndaj lekut duke u zhvlerësuar nga 140 lekë që ishte në  133 lekë. Opozita akuzoi qeverinë për injektim masiv eurosh për të blerë votën, por askush nuk kishte informacion se gjatë kësaj periudhe Banka e Shqipërisë ishte duke blerë masivisht euro nga tregu.

Blerjet vazhdojnë

Blerja e eurove nga Banka e Shqipërisë ka vazhduar edhe gjatë këtij viti. Sipas të dhënave zyrtare gjatë tremujorit të parë të këtij viti Banka bleu 19.3 milionë euro në dy ankande të organizuara në bankat e nivelit të dytë.

Ankandet u organizuan në muajt shkurt dhe mars. Në të dy rastet, Banka e Shqipërisë ka përdorur opsionin e blerjeve në raundin e dytë,  sikurse parashikohet në rregulloren përkatëse.

Në muajin qershor, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë disa herë në tregun valutor, duke blerë euro. Ndryshe nga veprimet e zakonshme, që shërbenin për të rritur rezervat valutore, këto ndërhyrje u konsideruan të jashtëzakonshme dhe synonin që të frenonin rënien e euros, që doli jashtë kontrollit.

Në fillim të muajit qershor, euro zbriti në 124.17 lekë, niveli më i ulët në 10 vjet, nga gati 134 lekë që u hap në fillim të vitit. Shuma që ka blerë Banka e Shqipërisë nuk bëhet ende e ditur, por këto ndërhyrje arritën që të stabilizojnë kursin në rreth 126 lekë.

Përgjatë dy viteve të fundit monedha vendase është mbiçmuar në këmbim me euron në mbi  11 për qind si rrjedhojë e ofertës më të madhe për valutë dhe rënies së lekut në qarkullim.

Ende nuk ka një ekspertizë të thelluar nga institucionet përgjegjëse në vend për të hulumtuar mbi arsyet e mbiçmimit lekut, por tregues të tërthortë sinjalizojnë se ekonomia po furnizohet me valutë  nga burimet jo formale që burojnë kryesisht nga eksporti i drogës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here