Gjykata e Tiranës ka zbardhur të arsyetuar vendimin se perse pranoi kërkesën e Izet Haxhisë për rivendosjen në afat të kërkesës për apelim, duke rihapur kështu dosjen e vrasjes së deputetit demokrat Azem Hajdari. Gjyqtari Besnik Hoxha në vendimin e tij shprehet se i pandehuri nuk ka marrë dijeni për gjykimin dhe nuk është vënë në dijeni të vendimit të dhënë ndaj tij në mungesë.
Gjykata e Tiranës ka zbardhur vendimin, i cili shpjegon se përse u pranua kërkesa e Izet Haxhisë për të rivendosur në afat mundësinë e apelimit ndaj dënimit me 25 vite burg të dhënë në mungesë ndaj tij me akuzën e bashkëpunëtorit në vrasjen e deputetit Azem Hajdari.
Ne vendimin e arsyetuar, gjyqtari Besnik Hoxha argumenton se Izet Haxhia, nuk ka qenë në dijeni të procesit që po zhvillohej ndaj tij nga gjykata dhe nuk ka lëshuar asnjë prokurë apo akt tjetër përfaqësimi në gjykim.
Sipas gjykatës, Haxhia nuk ka dhënë asnjë deklarim përpara organeve proceduese dhe nuk provohet të ketë patur dijeni për ankimin e vendimit në Gjykatën e Apelit Tiranë, i cili ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Izet Haxhia gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë në Turqi nën mbikqyrjen e vazhdueshme të autoriteteve shtetërore turke deri në momentin e ekstradimit të tij në Shqipëri.
Gjyqtari Hoxha hedh poshtë dhe pretendimin e prokurorit se Izet Haxhia ka tejkaluar afatin 10 ditor të ankimit.
Një tjetër provë që i ka dhënë mundësinë Izet Haxhisë të rivendosë në afat dënimin e tij, e provuar kjo tashmë edhe nga gjykata penale, është fakti se ai nuk ka patur kurrë zyrtarisht dijeni për dënimin në mungesë.
Kjo, thotë gjykata, nuk i është komunikuar as nga autoritetet turke të cilat i kanë vënë në dijeni vetëm masën e arrestit por jo dënimin.
Në 8 maj 2018, Izet Haxhia u ekstradua nga Turqia dhe me rivendosjen në afat të këtij dënimi, ai kërkon rihapjen e dosjes “Hajdari”.