Deputetja e LSI: Jemi në fillim të një diktature, nuk do ta lejojmë Ramën të prishë teatrin

0
747

Deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj ju bashkua protestës së artistëve sot para Teatrit Kombëtar, ku tha se e gjithë opozita është në mbështetje të tyre, për të mos lejuar prishjen e godinës.

Mehmetaj siguroi artistët se opozita dhe LSI do të bëjnë çdo përpjekje për të ndalur Ramën dhe diktaturën që ai kërkon të instalojë në vendin tonë.

Fjala e Kejdi Mehmetajt:

Përshëndetje unë jam Kejdi Mehmetaj. Jam deputete por edhe nën kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Për ju që ndoshta nuk e keni vënë re, në fakt unë edhe shumë prej kolegëve të mi kemi qenë çdo ditë në këtë shesh proteste. Nuk kemi folur këtu, e kemi zgjedhur vetë që të mos flasim pikërisht edhe për arsyen që njëri prej parafolësve përmendi. Sepse këtë kauzë e ngritën qytetarët, e ngritën intelektualët, e ngritën artistët dhe padyshim dhe ne si të zgjedhurit tuaj duhet të ishim krah jush, afër jush, pararojët tuaj për të qenë të gatshëm për të bërë çdo veprim që ju kërkoni prej nesh. Dhe të jeni të sigurt që deri më tash as nuk jemi sprapsur, as nuk jemi tërhequr, as nuk kemi thënë kjo punë mbaroi me kaq.

Përkundrazi lufta jonë ka filluar më e madhe nga dita e djeshme kur mazhoranca në mënyrë edhe të paligjshme vendosi ta kalojë atë ligj në Parlament. E them të paligjshme edhe për këdo që mund të ketë ndonjë hije dyshimi sepse nën nxitimin e kryerjes së pa ligjshmërisë së tyre arritën deri në pikën sa të përvetësonin identitetin edhe të deputetëve të tjerë, të cilët me zgjedhje, po e them këtë, me zgjedhje nuk do ta votonin asnjëherë atë ligj që nuk flet thjeshtë dhe vetëm për identitetin e një godine.

Por e vërteta është që është fillimi i një diktature, fillimi i diktaturës së Edi Ramës që mendon se mund të bëjë çfarë të dojë, jo thjesht vetëm me pronën tonë publike por dhe me identitetin tonë kombëtar.

Ndaj sot qysh në mëngjes kemi bërë gati të gjithë shkresat zyrtare dhe kemi denoncuar në mënyrë ligjore të gjithë situatën e djeshme që është krijuar. Dhe do ta ndjekim këtë çështje deri në fund. Qoftë sa i takon procedurë, qoftë sa i takon rezistencës tonë. Do them vetëm një fjalë të fundit, jam shumë e emocionuar se këtë çështje më shumë se gjithçka e kam ndier si qytetare e Tiranës, si qytetare e Shqipërisë. Dhe unë po ju siguroj, çfarëdo që të ndodhë ne do të jemi hap pas hapi mbas Edi Ramës. Do të jemi si hije mbas Edi Ramës. Dhe jo thjesht nuk do ta lejojmë ta shkatërroj këtë godinë, duke rezistuar edhe fizikisht, por ju siguroj që do ta ndjekim deri në dënimin që meriton për kryerjen e një akti të kësaj natyre. Dhe këtë jua siguroj edhe me shpirtin e një vajze të re që sinqerisht do që Shqipëria të marrë tashmë rrugën që meriton të ketë. Dhe ju dhe të gjithë qytetarët të jetoni në një Shqipëri që vërtet e meritoni. Faleminderit

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here