520 lëkundje sizmike janë regjistruar që pas tërmetit të së mërkurës. Sizmiologët thonë se pas-lëkundjet mund të vijojnë edhe në ditët e ardhshme ndërsa theksojnë se goditja më e fuqishme ka kaluar.
Një tërmet me magnitutë 4.3 ballë ka rikthyer panikun te qytetarët. Epiqendra sërish ka qënë në Gjirin e Lalzit, ndërsa lëkundjet janë ndjere në Durrës, Fushë-Krujë dhe Tiranë.
Edmond Dushi: Tërmeti i sotëm ëhstë lokalizuar dhe është regjistruar rreth orës 1 pas mesnate dhe ka pas ndjeshmëri.Është ndjerë dhe në Tiranë, personalisht unë e kam ndjerë këtu në sallën e monitorimit,. Kam qenë në detyrë. Magnituda e vlerësuar për këtë tërmet ëShtë 4.3 e shkallës Rihter.Tërmeti ka pasur të njëjtën thellësi, 23 km dhe është lokalizuar në të njëtën zonë, Gjirin e Lalzit.
Që prej të mërkurës, kur ndodhi tërmeti me magnitutë 5.1, në Institutin e Gjeoshkencave janë regjistruar rreth 520 pas lëkundje.
Edmond Dushi: Ka pasur një veçori zona sepse në momente të caktuara ka pasur dhe rritje të vlerës së magnitudës, një shembull është dhe tërmeti i ndodhur në orët e para të mëngjesit dhe kjo ka çuar që të kemi një lloj përshpejtimi ose rritje të numrit të pas-goditjeve menjëherë sapo kanë ndodhur këto tërmete.
Ekspertët thonë se tërmeti më i fuqishëm ka kaluar por pas-lëkundjet mund të vijojnë edhe në ditët e ardhshme.
Edmond Dushi: Goditja kryesore ka qenë ajo e ndodhur në datën katër, të mërkurën. Të gjithë tërmetet e tjera që kanë ndodhur klasifikohen si pas-goditje duke u nisur nga vlera e tyre e magnitudës, ky është kriteri bazë. Në kushtet aktuale ne mendojmë se goditja kryesore ka kaluar tashmë dhe ajo që po ndodh është një ecuri normale e zonës drejt relaksimit të saj.
Por si duhet të veprojmë në një rast tërmeti. Në këshillat e sizmiologëve ruajtja e qetësisë renditet e para.
Edmond Dushi: Gjëja e parë që këshillojmë është që njerëzit nuk duhet të shpejtojnë, ose nuk duhet të nxitojnë, pra të ruajnë gjakftohtësinë e tyre. Të sigurohen poshtë strukturave të përforcuara siç janë trarët apo nën tryeza. Ky perceptim i çastit është shumë i vështirë. Gjithsesi, nëse ata gjejnë një mundësi të futen poshtë këtyre elementëve përforcues për t’u ruajtur nga objektet që mund të bien.
Duhet që të dalin por me qetësi duke evituar ashensorin por duke ruajtur gjakftohtësinë nëpër shkallë dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin. Në rast se kanë mundësi të ulin automatin në shtëpitë e tyre kjo do të ishte akoma më mirë. Dalja është e domosdoshme, pasi në momentin që një strukturë ka pësuar dëmtime, pasgoditjet do ta përkeqësojnë situatën. Asnjëherë nuk dihet nëse goditja që ka ndodhur është pasgoditja e një tërmeti akoma më të fortë apo është ajo goditja kryesore.
Shqipëria është një vend me aktivitet të lartë sizmik dhe ekspertët i konsiderojnë normale të tilla tërmete.
Sipas hartës që disponon Instituti i Gjeoshkencave, Peshkopia, Pogradeci, Shkodra, Fieri e Elbasani janë ndër qytetet që kanë aktivitet sizmiologjik më të lartë në vendin tonë.