Interpol Tirana ka ekstraduar 2 persona të dënuar me 20 dhe 7 vite burgim në fushën e veprave penale kundër jetës dhe lirisë së personit, si dhe në fushën e narkotikëve.
Nga Athina drejt vendit tonë u ekstradua Eduart Lulo 33 vjeç, banues në Përmet, i cili u arratis nga burgu i Drenovës në vitin 2013. Ai u arrestua në Greqi vetëm pak ditë pas arratisjs.
“Ky shtetas, është shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale ” Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit” ” Armëmbajtje pa leje”. Vendim ky i marrë pasi, më datë 23.11.2013, në bashkëpunim me disa të burgosur të tjerë, është arratisur nga burgu i Drenovës ku po vuante dënimin prej 20 vitesh, për veprat penale ” Vjedhje me pasojë vdekjen” ” Plagosje e lehtë me dashje” dhe ” Armëmbajtje pa leje”, sqaron policia.
Personi tjetër i ekstraduar është Franci Halili , 41 vjeç, lindur në Sarandë.
“Ky shtetas, është shpallur në kërkim, bazuar në vendimin penal të datës 15.09.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, e cila e ka dënuar me 7 vite burg për veprën penale ” Prodhim dhe shitje narkotikësh”. 41- vjecari në bashkëpunim me një shtetas tjetër, në qytetin e Sarandës shisnin lëndë narkotike Heroinë, personave të ndryshëm”,tha policia.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Athinën, u bë arrestimi i tij duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë.