Sekuestrot e milionave i rrëzon gjykata, vetëm në 6 muaj u kapën afro 20 mln euro

0
925

Në 6 muajt e parë të këtij viti, Policia e Shtetit ka sekuestruar afro 20 milionë euro pasuri të dyshuara si kriminale. Nga ana tjetër, në 8 vitet e fundit shuma që u është sekuestruar bandave kriminale arrin në 167 milionë euro. Ora News zbardh të plotë ecurinë e proceseve të sekuestrimeve të këtyre pasurive, nga viti 2010 deri në ditët e sotme, nga ku vihet re se gjykatat kanë liruar nga bllokimi më shumë se 2 të tretat e pasurive të bllokuara nga policia.

Policia e shtetit ka sekuestruar rreth 20 milionë euro pasuri të vendosura nga aktiviteti kriminal në 6 mujorin e parë të këtij viti në kuadër të ligjit antimafia dhe atij të “Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit”. Kjo shumë përbën gati dyfishin e sekuestrimeve të kryera në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga të dhënat që Ora News disponon nga burime të besueshme nga agjencitë ligjzbatuese, rezulton se nga janari deri në qershor 2018, janë sekuestruar 10 milionë euro me ligjin “Antimafia” dhe 9.7 milionë euro sipas ligjit të “Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit”, parashikuar në nenin 287 të Kodit Penal. Një vit më parë, me ligjin “Antimafia” u sekuestruan 11.6 milionë euro, ndërsa për pastrim parash ishin 38.6 milionë euro.

Përveç këtij viti, shuma më e madhe që është sekuestruar në këtë 8-vjeçar është ajo e 2016-ës, me afro 50 milionë euro. Në lidhje me sekuestrimet e këtij viti, pjesa më e madhe e tyre përfshihet në operacionin “Forca e Ligjit”, ku janë kryer 13 operacione nga nëntori i vitit të kaluar, deri në korrikun e këtij viti. Aty spikat sekuestrimi i hotelit të familjes Balili, që vlerësohet në 6.7 milionë euro apo disa prona të tjera në Bajzë të Malësisë së Madhe, në pronësi të një Ndue Pepajt, që akuzohet për trafik droge. Gjithashtu, 3.4 milionë euro që erdhën në Durrës me “Toyota Yaris” ndodhen në listën e këtyre parave të sekuestruara, ashtu siç janë edhe disa raste të tjera. Nga ana tjetër, në 2 muajt e vjeshtës të vitit të kaluar, u organizua operacioni “Vjeshtë 2017”, ku në fokus ishin makinat luksoze, por edhe pasuri të tjera. Vetëm përgjatë atyre 2 muajve u sekuestruan afro 40 milionë euro, por pjesa më e madhe e automjeteve, iu rikthye sërish pronarëve.

Në një analizë të shifrave të sekuestrimeve nga viti 2010 e deri në ditët e sotme vihet re se jo të gjitha pasuritë e bllokuara strukturat e Policisë së Shtetit kanë përfunduar të bllokuara me vendime të gjykatave.

Policia ka sekuestruar ndër vite 167 milionë euro pasuri kriminale por kjo shifër është shfryrë disi nga vendimet e gjykatave dhe prokurorisë, të cilat duhet të marrin pjesë për zbatimin e ligjit “Antimafia”, miratuar në vitin 2009.

Nga 167 milionë eurot, për të cilat policia ka dyshime se janë vënë me para të trafikut të drogës, armëve dhe njerëzve, apo aktivitete të tjera kriminale, të sekuestruara me ligjin “Antimafia” janë 4-fish më pak e kësaj shume.

Pra me ligjin “Antimafia” që parashikon sekuestrimet e parave të dyshuara si kriminale, nga 2010 e deri në ditët e sotme rezultojnë të sekuestruara vetëm 46 milionë euro pasuri apo llogari bankare.

Pjesa që mbetet, pra 121 milionë euro të tjera, ose janë rifituar sërish nga pronarët, ose kanë mbetur në procese të tejzgjatura gjyqësore ende pa një vendim përfundimtar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here