Ndër sa e sa humanistë të shquar me origjinë shqiptare, sot do të merremi me shkodranin që vjen menjëherë pas Marin Barletin, shkrimtarin, studiuesin e hsitorianin Marin Beçikemi, të cilin ndër vepra e gjejmë edhe si Marin Shkodrani apo Marin Beçikem Shkodrani.
Ai u lind në vitin 1468 në Shkodër ku hedh edhe hapat e parë në arsim, hapa që do ndikojnë në gjithë jetën dhe formimin e tij. Ishte në moshë të mitur kur përjeton të parin rrethim të Shkodrës më 1474, një ngjarje e cila do të kthehet në bazë për një ndër veprat e tij.
Në të dytin rrethim të Shkodrës, largohet drejt të afërmve në Ulqin katër vjet pas rrethimit të parë dhe strehohet atje për disa kohë, me shpresën se bashkë me pjesën tjetër të familjes, do të bashkoheshin sërish në Shkodër. Por rrethimi i dytë është fatal për qytetin e lashtë i cili bie nën zgjedhën e tmerrit osman. Bashkë me të ëmën, Beçikemi nuk do të kthehet më asnjëherë në Shkodrën ku i ati la eshtrat për të mbrojtur qytetin.
Për të vazhduar studimet, ai lë Ulqinin dhe shkon në Bershia të Italisë, por kthehet sërish pas pak kohësh për t’u martuar me një vajzë nga një familje e fisshme ulqinake. Kjo martesë celebrohet nga ipeshkvi i kohës në Ulqin, humanisti tjetër Martin Segoni. Kur ky i fundit ndërroi jetë në vitin 1485, do të jetë Marin Beçikemi ai që do të mbajë një fjalim rrënqethës dhe prekës për të gjithë të pranishmit.
Me t’u kthyer në Itali për të vijuar studimet, qysh në moshë të re ftohet për të drejtuar një shkollë humaniste në Raguzë. Ishte viti 1494. Ai pranon dhe, bashkë me fmailjen, vendoset në Raguzë. Po aty, një vit më pas, boton veprën e tij të parë e cila i kushtohet Senatit të Raguzës, si mirënjohje për ndihmën që i jepte personalisht Beçikemit, por edhe ndihmën e dhënë për Gjergj Kastriotin.
Pas tre vjetësh qëndrimi në Raguzë, ku boton edhe veprën “Kritika dhe observime për Virgjilin, Ovidin dhe Ciceronin”, lë Raguzën dhe kthehet në Itali ku merr përsipër një mision diplomatik duke u dërguar si sekretar në flotën e Sinjorisë.
Ndërkohë që thellohet në njohjen e kulturës së Romës së lashtë duke u marrë me tre figurat që u kushtoi studimin e botuar në librin e sipërcituar, shkruan kujtimet dhe informacionet e marra për Shkodrën, duke i botuar në një serë veprash të cilat përkthehen dhe studiohen në gjithë univeristet e njohura të kohës.
Ndërron jetë në moshën 58 vjeçare, por lë pas një kontribut aq të shquar, sa akoma edhe sot ne si populli atë i tij mund të mburremi me të.