Friday, March 21, 2025
Home Politikë Statusi i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, PS mat sot forcat në Kuvend

Statusi i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, PS mat sot forcat në Kuvend

0
807

Parlamenti do të mblidhet në seancë plenare në orën 10:00, ku parashikohen të miratohen disa ligje me rëndësi përfshirë ndryshimin e disa taksave.

Në rend të ditës është parashikuar diskutimi dhe votimi i ndryshimeve në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, tatimin mbi vlerën e shtuar dhe ligji për sistemin e taksave vendore.

Këto tre ligje që përbëjnë paketën fiskale, parashikojnë uljen e taksave për personat që investojnë në agroturizëm. Shkalla e tatimit mbi fitimin për këtë kategori do të jetë vetëm 5%.

Gjithashtu parashikohet që Shkalla e tatimit mbi fitimin të jetë 5 për qind për tatimpaguesit me të ardhura deri në 14 000 000 lekë në vit, kush kalon këtë prag do të paguajë 15%.

Seanca parlamentare e kësaj të hëne do të jetë edhe një provë force për mazhorancën pasi në rend të ditës parashikohet edhe ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nisëm kjo që kërkon 84 vota.

Në votimin për ligjin e teatrit, mazhoranca konfirmoi 75 vota në parlament por bashkë me disa deputet të deklaruar të pavarur mund të arrijë në 79 vota.

Në qoftë se këto vota i siguron, mazhorancës i duhen edhe 5 vota të tjera për ligjin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, që i rikthyen kompetencë KLD-së dhe prokurorisë së Përgjithshme për emërimin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Partia Demokratike e ka refuzuar këtë ligj, ndërsa ndër të tjera kusht ishte shkarkimi i kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku.

Por deri pak ditë më parë Partia Socialiste shpresonte në konsensusin e LSI-së, moment që u zbeh në mbledhjen e fundit të Komisionit Ligjeve, pasi deputeti Nasip Naço u shpreh prerë kundër nismës, me pretendimin se kjo thellon kapjen e drejtësisë nga shumica.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here