Prokuroria e Përgjithshme nis hetimin kryesisht për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza. Gjyqtari do të hetohet për falsifikim të formularëve të vetëdeklarimit.
Burime të Ora News bëjnë me dije se Prokuroria do te sekuestrojë materiale nga KPK, të cilat më pas do t’i kalojnë Gjykatës së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, rezulton i dënuar për vjedhje në bashkëpunim në Itali.
Gjyqtari Admir Thanza ka pranuar perpara KPK denimin ne Itali, por ai ka thënë se e ka pranuar dënimin për të shpëtuar jetën e nipit të tij.
Thanza deklaroi se e ka marrë përsipër një dënim të kunatës e cila kishte kryer një vjedhje vetëm që nipi i tij 9 vjeçar të kurohej në Itali, ndërsa ka shpërthyer në lot para trupës gjykuese.
Ngjarja ka ndodhur në vitin 1999, ku Thanza madje ishte dhe gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës, por ky informacion që do ti kushtonte karrierën as nuk është deklaruar nga vetë gjyqtari, madje nuk është konstatuar nga asnjë institucion shqiptar që kryente verifikimin për pastërtinë e figurës dhe dekriminalizimin.
Madje kjo gjë do të vazhdonte të qëndronte e fshehur në rast se ekspertët e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit nuk do ta kishin zbuluar dhe kjo e dhënë në kufijtë e një skandali nuk do të deklarohej në seancën dëgjimore të kësaj të marte për anëtarin e Gjykatës së Lartë.