Çfarë ka ndodhur me veprën e Atë Shtjefën Gjeçovit?

0
924
3 françeskanë ku dallohen Atë Fishta dhe Atë Gjeçovi

Vepra e Atë Shtjefën Gjeçovit, sikurse thashë edhe pak më lart, është e botuar dhe e njohur vetëm pjesërisht. Një pjesë e saj gjendet në trajtë dorëshkrimesh në Arkivin Qendror të Shtetit, ndërsa një tjetër pjesë, me shumë gjasa, ka humbur. Se çfarë mund të ketë ndodhur me të dhe se ku ajo mund të jetë, na e tregon Atë Zef Pllumi në librin “Rrno për me tregue”:

 [Bëhet fjalë për momentin kur Atë Zefin, akoma pa u bërë prift, e dërgojnë në burg ku e përballin me Atë Pal Dodajn. Ky i fundit i kishte besuar Zefit, si një djali të ri, ditarët e tij, ndërkohë që Zefi ngulte këmbë se nuk i kishte ai, pasi donte t’i ruante. Në ballafaqim, Atë Pali i kërkon, me lutje, që t’i dorëzojë dhe Zefi pranon. Bashkë me Dul Rrjodhin shkojnë aty ku ditarët ishin.]

…U ngjithëm në shkallë që të çonte nalt në trapazan përmbi tavan të arkivit. Aty kishëm vendosë ato dy arkat metalike: Njana me dorëshkrime të P. Ambroz Marlaskajt dhe tjetra me dorëshkrime të P. Shtjefën Gjeçovit. Këtu, në këtë të dytën, kishëm shti edhe ditarët e Padër Palit. Ishin me dry. Çilsat i kisha lan nën arka. I mora e i hapa:

-Qe ditaret e P. Palit.

-Po këto tjerat ç’janë? [pyet Dul Rrjodhi]

-Dorëshkrime të P. Shtjefën Gjeçovit, – i thashë unë.

-Kush ishte ky maskara?

-Shka thue ashtu! Ky asht shkenctar me famë botnore. Ky ka mbledh Kanunin e Lekë Dukagjinit.

-Kanunin e Lekë Dukagjinit? Po, e kam edhe unë atë libër plot marrina malsorësh. Ku asht ky tash? Ku gjindet?

-Po këtë e kanë vra serbët në Zym.

-Mirë ia paskan ba: duhen qirue hesapet…

…Tashti, – tha Duli, – mbylli mirë arkat, m’i jep këtu çilsat e bravave: ky këtu, dhe ky këtu! – tha, ndërsa ata i vuni në vende të ndryshme në tuben e çilsave, që mos të guxonte kush me i prekë.

 

Kjo është e fundit dëshmi për veprën e Atë Gjeçovit. Një pjesë e saj sot është në Arkivin e Shtetit, me siguri e dërguar qysh atëherë, ndërsa një pjesë tjetër, sikurse atë Zefi thotë, druej se ka humbë përgjithmonë!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here