Ish-presidenti Bujar Nishani e konsideron procesin e vettingut deri më tani të suksesshëm në masën 70%, por shprehet se reforma mund të goditet kollaj në Gjykatën e Strasburgut, nga ata gjyqtarë e prokurorë që janë larguar.
I ftuar në emisionin Kjo Javë në RTSH, Nishani u shpreh se në disa procese ka patur standarde të dyfishta nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ç’ka mund të sjellë dhe një efekt negativ për të gjithë reformën. Nishani shton se shumë gjyqtarë e avokatë janë dënuar për çështje të pasurisë, duke e bërë kësisoj të lehtë për ata që të ankimojnë në Strasburg vendimet. Nishani theksoi se disa nga përfaqësuesit e KPK-së madje nuk janë trajnuar për të qenë pjesë e kësaj pune.
“Ka pasur raste sporadike që kanë tronditur. Në aspekte të përgjithshme kanë vënë kritere shumë të forta. Por, më mirë se sa me kritere më të buta, që kanë realizuar një dyzim. Vetingun mund ta hedhë në erë standard i dyfishte. Përshembull si u trajtua një prokurore e Shkodrës që u gjykua dhe s’kualifikua për shkak të një fuoristrade të përdorur që kishte blerë, vetëm atë makinë të përdorur nuk justifikonte dot. Pastaj pamë gjykatës te larte qe s’justifikonin dot disa apartamente ne bregdet, jo vetëm të tyret po edhe të bashkëshorteve apo bashkëjetuesve, dhe ata e kaluan vetingun. Ky është standard i dyfishte.
Në 70-80 përqind, shkarkimet janë bazuar vetën në kriterin e pasurisë. Shumë nga këta që janë gjykuar vetëm nga ky aspekt do ta fitojnë çështjen në Gjykatën e Strasburgut, për t’u rikthyer në punë, për proces të parregullt”-tha Nishani.
Ish Presidenti i është përgjigjur gjithashtu dhe pyetjes nëse e gjithë reforma mund të sjellë kaos në sistemin e drejtësisë. Nishani është shprehur se ka shenja të një kaosi, duke marr për shembull situatën aktuale me Gjykatën Kushtetuese.
“Kanë dhënë shenja të një kaosi që mund të vijë. Shikoni gjykatën Kushtetuese. Se shikoj ngërçin e mosfunksionimit te shkarkimet, po për shkak të mos mundësisë së rekrutimit të anëtarëve të rinj. Nëse do rekrutojmë anëtarë të rinj, do ishte mekanizmi, s’do kishte ngërç, problemi është që ne s’kemi gati mekanizmin për ta mbushur gjykatën Kushtetuese”.-tha Nishani.