Forcat e Armatosura hapin dyert për të rinjtë e shkollave të mesme që ditët e verës t’i kalojnë pranë reparteve ushtarake për të parë nga afër dhe për t’u bërë pjesë e përditshmërisë së burrave dhe grave në uniformë.
Grupi i parë i të rinjve u mirëpritën në mjediset e garnizonit të Forcës Tokësore në Zall – Herr ku përgjatë një jave u bënë pjesë e Forcave të Armatosura në kuadër të misionit të posaçëm “Rini – Talent – Mundësi – Dinjitet”.
Ministrja e Mbrojtjes përgëzoi të rinjtë për pjesëmarrjen në këtë aktivitet 1-javor, duke i ftuar ata të marrin në konsideratë të ardhmen në Forcat e Armatosura.
“Sot ne kemi pothuajse 300 vetë që punojnë në shtabet e NATO-s dhe në organizatat e tjera të Sigurisë dhe Paqes me të cilat ne bashkëpunojmë në të gjithë botën. Kemi atashe ushtarak në 10 vende të NATO-s, kemi njerëz jashtëzakonisht shumë që punojnë jashtë kufijve të vendit tonë, sigurisht duke përfaqësuar Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Është një karrierë që të jep mundësinë që të rritesh dhe të përparosh mjafton që të duash të ecësh përpara.”- u shpreh ministrja Xhaçka, e cila theksoi mundësitë që ofrojnë Forcat e Armatosura për çdo profesion.
Xhaçka: “Një profesionist i mirë nuk është vetëm një ushtar i mirë, një profesionist i mirë mund të jetë nga një efektiv xhenio, mund të jesh edhe një jurist shumë i mirë në FA, mund të jesh edhe një ekonomist shumë i mirë në FA, mund të jesh edhe një financier shumë i mirë në FA, mund të jesh një mjek shumë i mirë, mund të jesh një infermier, mund të jesh gjithçka. Dhe kam përshtypjen dhe këtë e dëshmon çdokush që e ka një formim ushtarak, disiplina që përfitohet në ushtri është ajo që i duhet gjithkujt për ta pasur si çelës suksesi në jetë.”
Ministrja Nikolla e vlerësoi si shumë të vyer këtë program, që do t’i shërbejë edhe qëllimit të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë për këshillimin e karrierës.
Grupi i parë i të rinjve u vu nën drejtimin e instruktorëve të Forcave Komando dhe Forcave Speciale, ku u bënë pjesë e stërvitjeve bazë të dy reparteve elitë të Forcave të Armatosura.
Të rinjtë praktikuan hedhjen nga kulla e alpinizmit, mësymjen në banesë, patrullim në zonat e banuara dhe përballje me protestues të dhunshëm.
Gjithashtu, ata vizituan edhe Muzeun e Forcave të Armatosura që ndodhet në mjediset e garnizonit “Skënderbej”, pranë Ministrisë së Mbrojtjes.
Programi “rini – talent – mundësi – dinjitet”, është konceptuar si një shkolle verore për të rinjtë pranë strukturave të Forcës Tokësore, Detare dhe Ajrore të Forcave të Armatosura shqiptare.