Nga Administratori i Shoqërisë të prezantohet në organet drejtuese vlera 2,8 milionë euro, që përfaqëson diferencën midis çmimit të shitjes së energjisë në vlerat 11.11 deri në 61.14 euro nga “KESH” SHA tek operatorët privatë tё tregut tё energjisë dhe çmimit të blerjes së energjisë në vlerën 56.6 deri në 95.5 euro nga “OSHEE” SHA, pra këta operator energjinë e kanë blerë nga shteti shqiptar “KESH” SHA dhe përsëri ja kanë shitur shtetit OSHEE me çmim shumë herë më të lartë duke i krijuar një humbje të drejtpërdrejtë buxhetit të shtetit dhe në fund të fundit një detyrim financiar që e paguan konsumatori fundor shqiptar, vlerë e cila përbën dëmi ekonomik pa mundësi arkëtimi për Shoqërinë KESH SHA dhe për Buxhetin e Shtetit.
KESH sipas kontratës që ka me OSHEE plotëson pjesën e konsumit te parashikuar për konsumatorët fundorë kurse tepricat mund t’i shesë në tregun e parregulluar. OSHEE nga ana tjetër është e detyruar që pjesën e humbjeve ta plotësojë nga tregu i parregulluar ku jo në pak raste blen energjinë që kompanitë private e kanë blerë nga KESH çka rezulton me çmime më të kripura. Në 2017 Korporata Elektro Energjitike shqiptare bleu në tregun e parregulluar 23.9 milionë euro dhe shiti po në këtë treg 8.3 milionë euro.