U ekzekutuan në Shkodër, përcillen për në banesën e fundit ish- efektivi dhe nusja e tij mes dhimbjes dhe lotëve…

0
1721

Mes lotëve dhe dhimbjes familjarë dhe miq i dhanë lamtumirën e fundit ish- efektivit të policisë Boran Bërçanës dhe Silvi Ndocit, të cilët u vranë barbarisht një ditë më parë në mjetin e tyre, në hyrje të pallatit ku jetonin në lagjen “Naim Gjylbegu”.

Askush nga të afërmit nuk ka pranuar të flasë, por lotët e ulërimat e tyre për humbjen e njerëzve të zemrës, flasin më shumë se asgjë.

Trupat e pajetë dolën në orën 11.00 nga banesa e prindërve të Boranit. Ndërkohë policia vijon hetimet për zbardhjen e vrasjes që tronditi Shkodrën.

Burime nga grupi ekspertizës bëjnë me dije se ka qenë ora 01.30 minuta e së dielës, kur 30 vjeçari dhe gruaja 25 vjeçare janë qëlluar me 23 plumba brenda mjetit të tyre, tip “Benz”.

Arma e përdorur është tip automatike me silenciator, prodhim gjerman M5P, ku një karikator mban 30 fishekë.

Autori është afruar në këmbë tek makina, ka qëlluar fillimisht Boranin që plumbat e goditën në kokë dhe trup, e më pas nusen, duke i lënë të vdekur në vend.

Kamera e sigurisë brenda zonës ku ndodhi krimi ka filmuar skenën dhe sipas po të njëjtave burime, autori nuk ka qenë i maskuar, por cilësia e pamjeve e dobët është dërguar për ekzaminim në kryeqytet.

Prej atje laboratori do të mund të bëjë identikitin e autorit, i cili më pas është pritur në rrugën kryesore nga një tjetër bashkëpunëtor që e ka ndihmuar të largohet nga vendi i ngjarjes.

Disa kilometra më tutje në by pass-in e qytetit duke shfrytëzuar errësirën, kanë djegur makinën dhe armën e krimit dhe janë larguar në drejtim të paditur.

Numri i shasisë së mjetit pritet të ndihmojë në gjetjen e poseduesit të saj, thonë ekspertët e policisë.

Deri më tani në komisariatin e Shkodres ka patur mbi 20 shtetas të shoqëruar për tu marrë në pyetje mbi këtë vrasje, mes të cilëve edhe familjarë të viktimave, nëse kanë dijeni për ndonjë konflikt apo shqetësim që mund ti kenë shprehur të afërmit.

Për këtë vrasje kërkoi hetim të thelluar numri një i policisë së shtetit Ardi Veliu, i cili ishte të dielën pasdreke në Shkodër ku u takua me drejtorin vendor Vehbi Bushati.

Berçana 8 muaj më parë ishte kthyer nga Franca, ku kishte qëndruar për pak kohë pas largimit nga radhët e policisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here