Jan Kees Martijn, Shefi i ri Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë është takuar në ambientet e Bankës së Shqipërisë me guvernatorin Gent Sejko.
Ky takim u zhvillua në kuadër të shkëmbimit të vazhdueshëm të opinioneve dhe dialogut ndërinstitucional.
Gjatë diskutimeve Guvernatori i kushtoi rëndësi të veçantë masave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për ruajtjen dhe garantimin e stabilitetit të çmimeve në vend. Në këtë kontekst, ai njohu të pranishmit me vendimet e Bankës së Shqipërisë për inflacionin dhe kursin e këmbimit, ku theksoi se ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë në tregun e brendshëm valutor ka dhënë efekte pozitive dhe është pritur pozitivisht nga agjentët e tregut.
Gjatë këtij takimi, kreu i BSH i njohu përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe me rezultatet pozitive në kuadër të uljes së kredive me probleme. Ndërkohë shefi i ri i misionit të FMN vlerësoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë dhe bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet dy institucioneve.