Kur datojnë gjurmët e para të të shkruarit?

Nëse shkrimi daton prej 5 000 vjetësh në Mesopotami dhe Egjipt, arkeologët më vonë gjejnë shkrime të nxënësve mbi pllaka argjile, papiruse, copa qeramike. Në disa pllaka,  dallohen linja horizontale me hapësirë për ta detyruar fëmijën të shkruajë me shkronja sa më të imta. Fillimisht është modeluar nga mësuesi, më pas fëmija e kopjon sa më me elegancë për ta kufizuar që të mos zërë shumë hapësirë, sepse që herët mjetet e shkrimit kanë qenë të rralla dhe të kushtueshme. Në tabletë, fëmija nuk mund të shkruaj fjali të gjata.

A ka evoluar mësimi i të shkruarit në histori?

Në vendet evropiane, në shekullin XIX pati një shkëputje të madhe kur u vendos të mësohej shkrim e lexim në të njëjtën kohë. Që nga antikiteti, të lexuarit i ka paraprirë të shkruarit. Duhet të sjellim ndërmend se deri në Mesjetë dhe me shpikjen e shtypshkrimit, fjalitë ishin në bllok, fjalët nuk ishin të ndara me hapësira. Asokohe leximi ishte vërtet i vështirë.

A e kanë shenjuar epoka të caktuara historinë e të shkruarit?

Murgu i Mesjetës që kopjonte librat bënte vepra të njëmendta arti. Fletore që datojnë nga Kohët Moderne (XVI, XVII dhe shekulli XIX) shfaqin bukurshkrimin mbreslënës të një numri të paktë nxënësish, tashmë në moshë, që i ruanin për arsye personale ose profesionale. Gjithsesi, për disa nxënës, fakti që nuk i kanë ruajtur nuk na lejon t’u gjykojmë cilësinë e shkrimit, i cili padyshim përballej sprovat e vështira të nxënësve në përdorimin e pendës së çeliktë, megjithëse më pak delikate se penda e patës.

Deri në Luftën e Parë Botërore ndalohej shkrimi me dorën e majtë. Gjymtimet e luftës e bënë të nevojshme t’i mësonin të rriturit e gjymtuar në dorën e djathtë të shkruanin me dorën e majtë, pak nga pak kjo u përhap edhe tek fëmijët mëngjarashë.

Shkrimi me pendë pate ose çeliku, në mes të shekullit XIX, nuk ishte edhe aq i lehtë, pasi kërkonte një zhdërvjelltësi dhe një tërheqje fine të gishtave dhe kyçit.

A mësojmë të shkruajmë në të njëjtën moshë?

Po, sipas traditës mosha e mençurisë dhe momenti kur fëmija mund të mësojë të shkruajë është 7-vjeç, duke filluar paraprakisht me leximin. Gjithsesi, për shekuj me radhë këtë e ushtronin fare pak fëmijë. Në familjet aristokrate, mësimi mund të fillonte edhe më herët. Tregime të shekullit të shtatëmbëdhjetë rrëfenin se baballarët ua mësonin shumë më herët leximin dhe shkrimin fëmijëve, të cilët të njëjtën gjë duhej të bënin edhe për fëmijët e tyre në të ardhmen.

A po zhduket arti i të shkruarit?

Nuk duhet të ngatërrojmë kaligrafinë me shkrimin kursiv, të shpejtë dhe të lexueshëm, që mundëson komunikimin me të tjerët. Po jetojmë në epokën kur mendojmë kryesisht si të komunikojmë dhe nuk shqetësohemi assesi kur i shohim fëmijët që shkruajnë shpeshherë edhe me vështirësi.

Kaligrafia është krejt tjetër. Është e vërtetë se në shekullin e shtatëmbëdhjetë dhe tetëmbëdhjetë, po edhe në shekullin e nëntëmbëdhjetë kaligrafia ose bukurshkrimi u hap për të gjitha llojet e profesioneve.

 

A është ndërkombëtar prapësimi i kaligrafisë?

Arti i të shkruarit u shndërrua në hobi në vendet perëndimore. Veçojmë Japoninë, ku kaligrafia mësohet gjatë gjithë periudhës shkollore, deri në fund të vitit, sepse mbart kulturën, nuk është thjesht një mjet komunikimi.

Në Antikitet, fëmijët mësonin të shkruanin mbi tableta, 5000 vjet më vonë, ne po përdorim të njëjtën fjalë, si një rikthim në të shkuarën?

Në njëfarë mënyre është e vërtetë. E njëjta histori ndodhi edhe me librin, lindur në botën romake në shekullin e parë pas J.K. nën emrin e kodikëve, të cilët pak a shumë zëvendësoi rulin e papirusit (volumen), që për ta lexuar duhej ta shpështillje me një dorë dhe ta mbështillje me tjetrën (explicare), gjë e cila të kujton teknikën e të shkruarit në kopjuterit: sa më shumë shkruajmë, aq më shumë përhumbemi, duke u orvatur të ngjitemi në pjesët e mësipërne për të gjetur shkrimin….

@KONICA. AL

LEAVE A REPLY