Rrëfehet Bakaj: Eksperienca bjelloruse dhe takimi me Maradonën

0
745

Mund ta quani pa frikë “shpërthimi bjellorus” i Elis Bakajt. Katër gola në katër ndeshjet e fundit me Shakhtar Soligorsk, teksa ka shënuar në të tre ndeshjet e skuadrës së tij në këto eliminatore të Europa Leagues, duke u treguar gjithmonë vendimtar, pasi është goli i tij që mban gjallë shpresat e kualifikimit në Poloni, ndaj Lech Poznan, pas barazimit 1-1 në ish republikën sovjetike.

Bakaj më në fund ka gjetur rrjetën, duke bërë atë që na ka mësuar se di të bëjë më mirë, golat. Padyshim për të është një moment gëzimi, që më në fund po merr shpërblimin e merituar për punën dhe sakrificat gjatë këtyre muajve.

“Po kaloj një moment vërtetë të mirë. Jo se deri tani nuk kam luajtur mirë, pasi kam qenë rregullisht në formë dhe kjo e shpjegon faktin që jam paraqitur mirë, por më ka munguar shumë goli në kampionat. Jam shumë i gëzuar tani që kam arritur të zhbllokohem dhe po shënoj rregullisht. Katër ndeshjet e fundit kam shënuar po kaq gola. Skuadra po ecën shumë mirë, njerëzit, skuadra dhe trajneri më kanë pritur shumë mirë, ndaj tani lus zotin që të vijoj në këtë rrugë që kam nisur”, tha Bakaj.

Finalizimi i tij i parë në kampionat ishte vërtet i veçantë, pasi Bakaj i prishi festën e Maradonës. Ishte goli i ish futbollistit të Tiranës dhe Partizanit, që ndali Dinamo Brest pikërisht në ditën kur legjenda e futbollit prezantohej me pompozitet si president i klubit.

“Ishte diçka shumë e bukur për mua, të takoja një legjendë të futbollit, si Maradona. Vlerat e tij dihen dhe askush nuk mund t’ia prishë festën. Ekipi ynë është një skuadër pretendente dhe ashtu si në çdo ndeshje, edhe në atë takim u futëm në fushë për të fituar. Thjesht këtë herë erdhi Maradona dhe ky takim bëri shumë bujë, në Bjellorusi dhe kudo në Europë”, u shpreh sulmuesi tiranas.

Klubi bjellorus ka shpenzuar një shifër të konsiderueshme për të marrë shërbimet e sulmuesit kryeqytetas, por Bakaj mohon që ato shifra të kenë ndikuar në “thatësirën” që e shoqëroi në muajt e parë të kësaj eksperience.

“Është e vërtetë që klubi ka shpenzuar për mua një shifër të konsiderueshme, për një vend si Bjellorusia. Tani jam 31 vjeç dhe e kam eksperiencën e pestë ose të gjashtë jashtë Shqipërisë dhe di të menaxhoj veten në të tilla situate dhe të pres momentin tim. E dija që do të vinin edhe golat, ndaj punova shumë dhe prita të vinte çasti i duhur”, tha Bakaj.

Golat për një sulmues janë thelbësore dhe në shumicën e rasteve përcaktojnë edhe fatet e karrierës së tij. Gjithsesi Bakaj thekson se ka ndjerë ngrohtësinë e tifozëve që në fillim, ndonëse golat erdhën me vonesë.

“Për një sulmues është e rëndësishme që të shënojë sa më shumë gola dhe të japë sa më shumë asiste për lojtarët e skuadrës. Ngrohtësinë e tifozëve e kam ndjerë që në fillim dhe jam shumë i lumtur për zgjedhjen që kam bërë për karrierën time, duke ardhur në Bjellorusi”, deklaroi sulmuesi.

Vetëm para pak javësh Bakaj kurorëzoi në martesë lidhjen disa vjeçare me modelen rumune Andreaa Alexandra Constatin dhe natyrshëm që nëse i kujton se i duhej ky hap, që të shpërthente në gol, qesh, edhe pse mbështetja e saj në karrierën e futbollistit është diçka serioze.

“Kemi shumë vite që bashkëjetojmë, ndonëse vetëm këtë vit u kurorëzuam në martesë. Për një sportist është shumë e rëndësishme që të ketë përkrah një njeri që e ndihmon, që i shërben si shtysë. Unë e kam pasur gjithmonë krah Andrean dhe ajo më ka ndihmuar në shumë hapa të karrierës time, por edhe të jetës”, deklaroi Bakaj.

Shakhtar Soligorsk për momentin ndodhet në vendin e katërt në kampionat, por Bakaj shpreson, që pasi u bë futbollisti i parë shqiptar që luan në kampionatin e largët, të bëhet edhe i pari shqiptar kampion i Bjellorusisë.

“Shpresoj me gjithë shpirt, të arrijmë objektivin e ekipit, për të arritur titullin kampion. Kemi shumë shanse për t’ia dalë, ndonëse do të jetë e vështirë, pasi ka 3-4 skuadra që kanë buxhet shumë të lartë. Gjithsesi ne kemi shpresa se do t’ia dalim të triumfojmë në kampionat”, deklaroi Bakaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here