Piku i sezonit turistik ka dobësuar përsëri monedhën europiane kundrejt lekut shqiptar.

Gushti njihet si muaji i cili ka fluksin më të lartë të emigrantëve që kthehen pranë familjeve për pushime por edhe numrin më të madh të turistëve të huaj të cilët gjithashtu sjellin euro duke forcuar më tej lekun.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit një euro po shkëmbehet me 125.5 lekë duke kapur vlerën më të ulët në ditët e para të gushtit.

Nga janari deri në muajin korrik monedha evropiane ka humbur rreth 10 pikë në kursin e këmbimit, duke zbritur nga 134 në 125 lekë.

Pritshmëritë janë që përgjatë këtij muaji të ketë një tendencë zhvlerësuese të monedhës europiane kundrejt lekut.

Ekspertët e sqarojnë këtë situatë me një ndërhyrje të pamjaftueshme të Bankës së Shqipërisë për të blerë euro.

Eksportuesit janë ata që janë prekur më shumë nga dobësimi i euros ndërkohë që edhe të ardhurat janë ndikuar si rezultat i euros së dobët.

Nga të dhënat zyrtare në buxhet mungojnë 3.6 mld lekë vetëm si rezultat i ecurisë së kursit të këmbimit. sipas ekspertëve një stabilizim i euros përballë lekut parashikohet vetëm në vjeshtë.

Zyrtarët e shpjegojnë zhvlerësimin e euros në këtë nivel me rritjen e të ardhurave nga investimet dhe remitancat.

Por në treg ka edhe valutë që qarkullon në mënyrë informale e cila është e vështirë të menaxhohet.

Një euro me vlerë të ulët është pozitive për ata qytetarë që kanë kredi në këtë monedhë pasi tashmë do të paguajnë më pak para për këstet mujore.

Në daljen e fundit kreu i bankës Qendrore Gent Sejko deklaroi se Banka e Shqipërisë do të vijojë që të blejë euro edhe në muajt në vijim me qëllim uljen e sasisë së madhe të saj në treg.

LEAVE A REPLY