Kostot e ndërtimit të rrugëve dhe mirëmbajtjes së tyre po rriten me shpejtësi teksa argumentet me analiza mbështetëse për këtë ecuri mungojnë.

Ministria e Infrastrukturës ka lajmëruar se synon të trefishojë kostot për njësi për mirëmbajtjen e rrugëve duke i çuar ato në 11 mijë euro në vit për kilometër nga 300 euro në vit që shpenzohen aktualisht.

Por burimet nga ARRSH shpjeguan se kosto e mirëmbajtjes së rrugëve është rritur dukshëm me projektin e ri “mirëmbajtje me performancë”, duke përfshirë në mirëmbajtje me kushte dimri të ashpër edhe në qytetet ku ka mbi 300 ditë diell.

Sakaq, Ministria e Transportit në programin e saj buxhetor afatmesëm pohon se rritja e kostos së mirëmbajtjes synon të ulë numrin e aksidenteve me pasojë humbje jetë njerëzish dhe numrin e pikave të zeza me 23%, sipas Strategjisë Kombëtare të Transportit.

Mirëpo teksa fondet për mirëmbajtën janë duke u rritur vit pasi viti, pasi më 2017 ato ishin më shumë se 3 miliardë leke gati tre herë më shumë se 2013, numri i aksidentëve rrugore nuk është ulur, sipas pritshmërive, shkruan monitor.al.

Ndërsa sa i përket investimeve në infrastrukturë qeveria shqiptare synon që në tre vitet në vijim të kompletojë akset rrugore nacionale të koncensionuara me PPP, si: Rruga e Arbrit, Thumanë–Vorë–Kashar, Kashar– Rrogozhinë; Milot–Balldren; Orikum–Dukat; Kardhiq–Delvinë brenda vitit 2021 nëpërmjet partneritetit publik privat në kuadër të projektit “1 miliard.

Gjithashtu gjatë kësaj periudhe synohet rikostruksioni i segmentit hekurudhor Tiranë–Durrës, si dhe ndërtimi i linjës së re hekurudhore Tiranë-Rinas.

Fondet dedikuar infrastrukturës rrugore pritet të arrijnë në 31,6 miliardë lekë me 2021, ku pjesa më e madhe e tyre do të dedikohen për koncesionet dhe mirëmbajtjen. Fondet për transportin rrugor në tre vitet në vijim rriten me 30%.

LEAVE A REPLY