Saturday, April 20, 2024
Home Aktualitet U konfirmua në detyrë, ONM ankimon vendimin për gjyqtarin Gentian Medja

U konfirmua në detyrë, ONM ankimon vendimin për gjyqtarin Gentian Medja

0
688

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) ka ankimuar sot një tjetër vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. ONM u ka paraqitur sot Komisionerëve Publikë rekomandimin për ta ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Gentian Medja. KPK konfirmoi në detyrë gjyqtarin Medja në fillim të muajit gusht.

Më herët ONM ka ankimuar vendimet për Kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori si edhe të kreut të Kushtetueses, Bashkim Dedja, të konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

Njoftimi i plotë:
Në datë 1.8.2018, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Gentian Medja, magjistrat/gjyqtar në Gjykatën Administrative, Shkalla e Parë, Tiranë, dhe anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Sot, më datë 9.8.2018, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të z. Gentian Medja. Komisionerët Publikë, pasi t’u jetë njoftuar vendimi me shkrim i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, do ta shqyrtojnë atë krahas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Bazuar në pikën 7, të nenit 55, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka 30 ditë afat për t’ia njoftuar vendimin me shkrim Komisionerëve Publikë. Ky vendim ende nuk është njoftuar. Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here