Jo vetëm shpërblime, ja sa do të rriten pensionet në tre vitet e ardhshme

0
1564

Ashtu si edhe këtë vit, edhe për tre vitet e ardhshme, qeveria do të vazhdojë politikën e indeksimit të pensioneve.

Pensionistët në të gjithë vendin do të përfitojnë çdo vit shtesë pensioni 3 për qind. Për vitet 2019-2021, rritje të pensionit do të përfitojnë 630 mijë pensionistë në të gjithë vendin.

RRITJA E PENSIONEVE

Indeksimi i pensioneve në masën 3 për qind, edhe për 3 vitet e ardhshme, u miratua nga qeveria në projektdokumentin e programit buxhetor afatmesëm 2019–2021 i botuar në Fletoren Zyrtare. “Parashikohen nevojat për fonde për administrimin e sistemit të pensioneve publike për të tre llojet, si për llogaritjen dhe caktimin e pensioneve të reja, indeksimin, etj. dhe kryerjen e transfertave për rreth 630 mijë pensionistë”, thuhet në dokumentin e qeverisë.

Sipas të dhënave të kuadrit makroekonomik e fiskal për periudhën 2019-2021, fondet që qeveria do të përdorë për rritjen e pensioneve, llogaritën shtesën e tyre në masën 3 për qind. Për rritjen e pensioneve këtë vit transferta nga buxheti ishte 1,470,000,000 lekë. Për vitin 2019, fondi për indeksimin e pensioneve do të jetë 2,940,000,000 lekë. Fondi për rritjen e pensioneve do të shënojë rritje për vitet 2020 dhe 2021 dhe do të jetë përkatësisht në vlerën e 3,120,000,000 lekëve.

“Vlerat e parashikuara për treguesit e performancës në nivel qëllimi dhe objektivi, si dhe për produktin janë përcaktuar mbështetur në të dhënat e periudhave të mëparshme nga momenti i krijimit të institucionit tonë deri aktualisht. Sa i takon fondeve të parashikuara për të gjithë vitet, vlera e tyre është parashikuar, mbështetur në realizimin e vitit buxhetor 2017, në përputhje me tavanet e miratuara për vitet 2019-2021 si dhe është mbajtur parasysh indeksimi i tyre me normën e inflacionit prej 3 për qind”, thuhet në projektvendimin buxhetor të viteve 2019-2021 të miratuar nga qeveria.

SHPËRBLIMI

Pensionistët në të gjithë vendin, përveç shtesës prej 3 për qind, do të përfitojnë edhe shpërblimet e fundvitit. Me ndryshimet e buxhetit të këtij viti, qeveria shtoi fondin prej 3 miliardë lekësh apo 30 milionë dollarë për pensionistët. Ky fond do të përdoret për shpërblimet e fundvitit apo siç njihet ndryshe paketa e solidaritetit. Pensionistët parashikohet të përfitojnë 5 mijë lekë bonus me rastin e festave të fundvitit.

Përfitues do të jenë 630 mijë pensionistë të ndarë në 9 kategori në të gjithë vendin. Ashtu si edhe shtesa 3 për qind, pensionistët edhe në 3 vitet e ardhshme do të përfitojnë shpërblime të fundvitit. Me miratimin e paketës së solidaritetit, që përfshin shpërndarjen e shpërblimeve të fudndvitit për pensionistët dhe familjet në nevojë, qeveria mban premtimin elektoral të lançuar në zgjedhjet e 2017-s.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here