Pasuritë e paligjshme/ 300 zyrtarë në prokurori, vetëm dy të dënuar

0
708

Mbi 300 zyrtarë të niveleve të ndryshme janë kallëzuar penalisht nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në Prokurorinë e Përgjithshme dhe Prokurorinë e Tiranës, në harkun kohor 2014-2018, për pastrim parash të pista, fshehje pasurie, deklarim të rremë, falsifikim dokumentesh etj.

Pjesë e listës të të kallëzuarave janë ish-ministra, deputetë, ish-deputetë, drejtorë të rëndësishëm, ambasadorë, prokurorë, gjyqtarë, doganierë, tatimorë etj., të cilët në masën 99 % i kanë shpëtuar drejtësisë, pjesa më e madhe pa u përballur fare me gjykatën. 262 kallëzime penale janë bërë gjatë periudhës 2014-2017, shifër kjo që reflektohet edhe në raportin vjetor të veprimtarisë së ILDKPKI, ndërsa mbi 40 zyrtarë të tjerë janë referuar në prokurori, gjatë muajve të parë të vitit 2018, për pastrim parash dhe fshehje pasurie të pajustifikuar me të ardhura të ligjshme.

Po gjatë kësaj periudhe 2014-2018 janë marrë mbi 2 mijë sanksione administrative me ‘gjobë’ ndaj zyrtarëve të niveleve të ndryshme, të cilët janë subjekte deklaruese sipas ligjit, për mosdeklarim të pasurisë brenda afatit, për mosdeklarim para fillimit të detyrës, për refuzim të dhënies së të dhënave, për refuzim të kryerjes së ekspertimit etj. Ndërkaq, krahas kallëzimeve, vitet e fundit është rritur frikshëm edhe pasuria e pajustifikuar e zyrtarëve të lartë. Nëse gjatë vitit 2016, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive konstatonte se vetëm 12 zyrtarë të lartë posedonin rreth 40 milionë euro pasuri të pajustifikuar, për vitin 2017, ILDKPKI ka konstatuar se funksionarët e lartë posedojnë 80 milionë euro pasuri të pajustifikuar me burime të ligjshme të ardhurash.

Vetëm dy të dënuar 

Numri i zyrtarëve të dënuar për fshehje pasurie është i papërfillshëm në raport me numrin e subjekteve të kallëzuara nga ILDKPKI dhe fluksin e parave të pista, fakt ky i referuar si shqetësim në të gjitha raportet ndërkombëtare për zhvillimet në Shqipëri. Në radhët e politikanëve është dënuar vetëm ish-deputeti Mark Frroku për “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”. Frroku u dënua me 7.5 vite burg nga shkalla e parë, ndërsa Gjykata e Apelit ia uli në 6 vite. Në radhët e gjyqtarëve është dënuar nga gjykata me gjobë gjyqtari i Elbasanit, Qani Hasa, për fshehje pasurie.

Lista e fshehtë 

Vetëm një pjesë e zyrtarëve të kallëzuar u janë publikuar emrat nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Emrat e të të kallëzuarve deri në deri në nëntor të vitit 2015 janë publikuar. Emrat e zyrtarëve të kallëzuar për pastrim parash dhe fshehje pasurie nga fundi i vitit 2015 deri në korrik të vitit 2018 janë fshehur nga organet ligjzbatuese, për arsye të paqarta. Prokuroria e Përgjithshme, gjatë kohës që drejtohej nga Adriatik Llalla, ka pretendua se emrat e kallëzuar përbëjnë sekret hetimor. Ndërkaq, ka një vendim gjykate që e ka rrëzuar këtë pretendim të Prokurorisë, ndërsa çështja është në apel. Ka dyshime të forta që emrat e tjerë janë fshehur me qëllim që mbyllja e dosjeve të tyre të mos pasqyrohet në media si dhe të mos prodhojë reagim nga publiku.

Bilanci 
Mbi 300 zyrtarë të niveleve të ndryshme janë kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Përgjithshme dhe Prokurorinë e Tiranës, në harkun kohor 2014-2018, për pastrim parash të pista, fshehje pasurie, deklarim të rremë, falsifikim dokumentesh etj.

Dënimet 
Numri i zyrtarëve të dënuar për fshehje pasurie është i papërfillshëm në raport me numrin e subjekteve të kallëzuara nga ILDKPKI dhe fluksin e parave të pista, fakt ky i referuar si shqetësim në të gjitha raportet ndërkombëtare për zhvillimet në Shqipëri.

Veprat penale të konsumuara sipas ILDKPKI 

Neni 257/a i Kodit Penal 
Refuzimi për deklarimin ose mosdeklarimi i pasurisë, interesave privatë të personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim sipas ligjit, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj. Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Neni 287 i Kodit Penal
Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, nëpërmjet:

a) këmbimit ose transferimit të pasurisë, me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të saj, duke ditur se kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;
b) fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë, burimit, vendndodhjes, disponimit, zhvendosjes, pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;
c) fitimit të pronësisë, posedimit ose përdorimit të pasurisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;
ç) kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave;
d) investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave a sendeve, duke ditur se janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale;
dh) këshillimit, ndihmës, nxitjes ose thirrjes publike për kryerjen e secilës prej veprave të përcaktuara më sipër; dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

E njëjta vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet me burgim .
Dispozitat e këtij neni zbatohen edhe kur:

a) vepra penale, produktet e së cilës pastrohen, është kryer nga një person që nuk mund të merret si i pandehur ose që nuk mund të dënohet;
b) ndjekja penale për veprën, produktet e së cilës pastrohen, është parashkruar ose amnistuar;
c) personi që kryen pastrimin e produkteve është i njëjtë me personin që ka kryer veprën, nga e cila kanë rrjedhur produktet;
ç) për veprën penale, nga e cila kanë ardhur produktet, nuk është filluar asnjëherë çështja penale apo nuk është dhënë një dënim me vendim penal të formës së prerë;
d) vepra penale, produktet e së cilës pastrohen, është kryer nga një person, pavarësisht shtetësisë së tij, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe është njëkohësisht e dënueshme, si në shtetin e huaj, ashtu edhe në Republikën e Shqipërisë. Dijenia dhe qëllimi, sipas paragrafit të parë të këtij neni, nxirren nga rrethana fakti objektive.

a.me.

http://shqiptarja.com/lajm/pasurite-e-paligjshme-300-zyrtare-ne-prokurori-vetem-dy-te-denuar

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here