Për herë të parë në fshatin Dhërmi janë lëshuar certifikatat e pronësisë, për 815 prona që ka ky fshat, në një zonë shumë të lakmuar për vlerat turistike të tij.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, ky vendim erdhi pas përfundimit të regjistrimit fillestar të pronave nga ana e Zyrës vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë.
“Janë dhënë certifikatat e para të pronësisë për fshatin Dhermi. Rreth dy javë më parë, gjatë hapjes të zyrës së re të ZRPP në bashkinë Himarë, ju premtuam banorëve të fshatit Dhërmi, së bashku me kolegun Gjiknuri, se brenda muajit gusht procesi i regjistrimit fillestar i pronave të tyre do të kishte përfunduar si një premtim i bërë më herët”, shkruan ministrja Gjonaj.
Procesi i regjistrimit fillestar për fshatin Dhërmi ose ndryshe Zona Kadastrale 1481, e përbërë nga 815 pasuri me një sipërfaqe rreth 30,708 m2, ka filluar që në vitin 2015.
Sipas ministres së Drejtësisë procesi i dhënies së certifikatave të pronësisë do të vijojë edhe me pjesën tjetër të banorëve, deri në certifikimin e plotë të fshatit Dhërmi.
Ministrja Gjonaj thotë në mesazhin e saj se objektivi kryesor është regjistrimi fillestar i të gjitha pasurive në vend, si një proces i rëndësishëm në reformën e pronës.