Ndryshon buxheti 2018, shkurtohen fondet për vetingun e bujqësinë, Braçe kundër

0
598

Komisioni i Ekonomisë ka miratuar aktin normativ i cili ul me 3.5 mld të ardhurat si rezultat i zhvlerësimit të euros, ndërkohë që efekti në 8 muaj llogaritet 5 mld lekë më pak.Nga rishikimi i buxhetit përfitojnë pensionistët të cilët do të marrin 5 mijë lekë shpërblim për fundvit por shkurtohen fondet për vettingun, rrugët dhe bujqësinë. Kreu i komisionit të Ekonomisë ngriti si shqetësim këto ndryshime por për kreun e Financave ndryshimet janë bërë vetëm për atë pjesë të fondeve të papërdorura.

Rishikimi i buxhetit 2018 i siguron pensionistëve një shpërblim prej 5 mijë lekësh për fundvit por njëkohësisht shkurton fondet për një sërë institucionesh, përfshirë edhe Vettingun.

Në mbledhjen e parë të Komisionit të Ekonomisë për këtë sesion, kreu i komisionit Erjon Braçe ka ngritur një sërë pikëpyetjesh për shkurtimet e fondeve për rrugët, bujqësinë por edhe për institucionin e vettingut.

Braçe: Ajo që më shqetëson më shumë se dy të parat ka të bëjë me buxhetin e institucioneve të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë. Zoti Ministër, në këtë institucion është krijuar një volum pune i jashtëzakonshëm për të përballuar detyrimet prioritare për të paktën një numër prej 57 gjyqtarësh dhe prokurorësh që ishin në proces rivlerësimi. Në dijeninë time ky proces po përfundon. Nuk e kuptoj këtë historinë e ministrisë së transportit , në atë territor që unë punoj janë pa mirëmbajtje që nga data 1 janar i këtij vit. Kanë 8 muaj pa mirëmbajtje. Ka vajtur ferra dhe është bërë 1 metër e gjysëm në cdo anë, nuk po flasim për kanale e gropa. Si ka rënë dakrod që të uli para kur këto rrugë janë pa mirëmbajtje, cfarë efektiviteti qenka ky i përforimit të parasë publike kur për 8 muaj nuk bëhet tenderi. Bie dakord që për shkak të performancës të ulen fondet por ama duhen zgjidhur problematikat që janë krijuar në territori se për ndryshe pse nxjerrim para nga buxheti i shtetit për të financuar këtë projekt

Por për Ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, nuk ka shkurtim por vetëm rishspërndarje të fondeve të papërdorura.

Ahmetaj: Ka rënë dakord çdo Ministër me Ministrin e Financave dhe pastaj me Kryeministrin për të gjitha rialokimet, për shkak të performancës, ecurisë 7 mujore, parashikimit të tyre në përputhje me parashikimin tonë.

Zhvlerësimi i euros përgjatë këtij viti duket se ka shtuar efektet negative në të ardhurat e buxhetit. Sipas Ministrit Arben Ahmetaj në 8 muaj ndikimi përllogaritet rreth 5 mld lekë.

Ahmetaj: Buxheti vetëm në këtë korsi, për shkak të mbivlerësimit të lekut, ka pasur një goditje prej gati 5 miliardë lekë vetëm në kuadrin kohor të 8 muajve.

Akti normativ për rishikimin e buxhetit erdhi i detyruar si rezultat e mosrealizimit të të ardhurave me 3.5 mld nga efekti i zhvlerësimit të euros.

Pas diskutimeve në komisione, buxheti i rishikuar do të kalojë për miratim në seancën parlamentare të së enjtes.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here