Ruçi: Opozita nuk ka arsye të kërkojë kthimin prapa të Vettingut!

0
612

Një delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ndodhet në Tiranë në një mision faktmbledhës për monitorimin e detyrimeve dhe angazhimeve të Shqipërisë. Delegacioni i përbërë nga Andrej Hunko, përfaqësues i Bundestagut gjerman, dhe Z. Joseph O’Reilly, senator i Dhomës së Lartë të Irlandës, zhvilluan një takim me kryetarin e Parlamentit, Gramoz Ruçi.

Duke folur për reformën në drejtësi, Ruçi tha se kjo reformë kërkon edhe bashkëpunimin e opozitës.

RuçiDeri tani kemi miratuar 17 nga 27 ligjet e paketës së reformës, 2 prej të cilave, pjesë e shtyllës së profesioneve të lira, u miratuan gjatë sesionit të kaluar. 48 seancat e deritanishme të vetingut konfirmuan 21 dhe nxorën nga sistemi 27 gjyqtarë e prokurorë. Fakti që rreth 56 % e të verifikuarve dolën nga sistemi, tregon nevojën dhe vlerën e reformës. 

Reformën në drejtësi Z. Ruçi e vlerësoi si një reformë origjinale dhe unike, një operacion të thellë, të vërtetë, të vështirë, por të pakthyeshëm.

Ruçi: Opozita nuk ka arsye të kërkojë kthimin prapa të kësaj reforme, duke sulmuar organet e vetting-ut, sepse reforma mbështetet mbi urinë dhe dëshirën e madhe të shqiptarëve për drejtësi. Reforma është krejtësisht jashtë ndikimit të qeverisë dhe të shumicës parlamentare dhe nën monitorimin e rreptë dhe të plotë të ONM. Kjo është theksuar edhe në Kushtetutë dhe është dispozita e vetme kushtetuese në botë, që pranon një trupë të huaj mbikëqyrëse të sistemit. Praktikisht, për vetting-un, nuk di asgjë, ndërsa ONM di gjithçka. Kjo është e rëndësishme sepse sëmundja kryesore e sistemit të drejtësisë ishte kapja nga politika. Qëllimi ynë është që brenda këtij sesioni të përfundojë ngritja e organeve qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Por për këtë kërkojmë edhe bashkëpunimin e opozitës. Ethet e pushtetit nuk duhet të na bëjnë të “sabotojmë” ndërtimin e shtetit.

Gjatë bisedës, kryeparlamentari Ruçi tha se reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi janë dy prioritetet kryesore.

RuçiReforma zgjedhore është prioritet i të gjitha forcave politike. Për këtë, Shqipëria do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë dhe të suksesshëm me OSBE/ODIHR, duke synuar zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, sipas standarteve më të mira ndërkombëtare. Komisioni i reformës pritet të përfundojë punën e tij deri në fund të këtij viti.

Në përgjigje të interesimit të reporterëve për mundësinë e uljes së tensioneve politike dhe zbutjen e polarizimit politik, Z. Ruçi nënvizoi se “preokupimi im si Kryetar i Kuvendit është që opozita të ketë akses të plotë në ligjbërje dhe kontroll parlamentar. Që Kuvendi të kontrollojë qeverinë, me pjesëmarrjen dhe kontributin e opozitës. 54% e diskutimeve gjatë sesionit të kaluar i takuan opozitës. Çdo seancë pyetjesh apo interpelancë e kërkuar nga opozita është realizuar me shpejtësi maksimale. Opozita gëzon të gjitha instrumentet e kontrollit parlamentar, por nuk i ka përdorur si e sa duhet. Aktualisht, nuk ka asnjë arsye as për bojkot, as për kushtëzim të Kuvendit”.  

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here