Komisioneri Publik ka ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Gjykatës Administrative në Tiranë, Gentian Medja.

Sipas deklaratës, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për vlerësimin e aftësisë profesionale nuk është i plotë, duke u konsideruar i pamjaftueshëm për të konfirmuar në detyrë z. Gentian Medja.

“Mbështetur edhe në rekomandimin e komisionit të përfaqësuesve të ONM-së, për të ankimuar vendimin nr.60, datë 01.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisioneri Publik nëpërmjet këtij ankimi i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të kryejë rivlerësimin e aftësive profesionale të z. Gentian Medja, duke u bazuar në një metodologji, që përmban indikatorë objektivë për evidentimin e nivelit të përmbushjes së kritereve ligjore, të parashikuara në ligjin nr.96/2016”, thuhet në njoftim.

Në deklaratë thuhet se nëpërmjet këtij ankimi i sugjerohet Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, të orientojë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit mbi mënyrën e kryerjes në vazhdimësi së rivlerësimit të kriterit të aftësisë profesionale.

LEAVE A REPLY