Wednesday, October 17, 2018

Modeli i ri ekonomik,Sejko: Shqipëria duhet ta ndalojë emigrimin e fuqisë së kualifikuar punëtore

541
0

Përtej institucioneve ndërkombëtare edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ngriti si shqetësim faktin e largimit të fuqisë punëtore të kualifikuar nëpërmjet emigrimit.Në një konferencë me drejtorin e Bankës Botërore, Sejko theksoi gjithashtu se tashmë përqëndrimi i ekonomisë duhet të jetë te industria, shërbimet e eksportit dhe turizmi.

Shqipëria po vuan gjithmonë e më shumë largimin e personave të kualifikuar.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë,Gent Sejko, duke folur në një aktivitet për rritjen e produktivitetit theksoi se vendi ynë ka ende shumë punë drejt frenimin të emigrimit të fuqisë së kualifikuar punëtore dhe të rifreskimit të aftësive të fuqisë së saj punëtore nga sektori privat.

Sipas Sejkos, kjo nismë do të ndikonte në rritjen e produktivitetit të ekonomisë. shqiptare.

Sejko: Ekonomia botërore pësoi episodin më të gjatë dhe më të thellë të ngadalësimit e rënies ekonomike që pas Depresionit të Madh të viteve ’30. Kjo ishte padyshim një dramë e madhe ekonomike, në nivel ekonomish kombëtare por edhe në nivel biznesesh e familjesh individuale. Megjithatë, kriza shërbeu dhe si katalizator i rivlerësimit të ideve ekonomike dhe laborator i madh i testimit të tyre.

Ngadalësimi ekonomik në Shqipëri në periudhën pas krizës, ka patur dhe një element të fortë strukturor. Me fjalë të tjera, përgjysmimi i ritmit të rritjes në periudhën para dhe pas krizës, pasqyron si ngadalësimin e zgjerimit të kërkesës për mallra dhe shërbime, ashtu dhe ngadalësimin e kapacitetit të ekonominë për të ofruar këto produkte.

Së dyti, niveli dhe shpejtësia e zgjerimit të produktivitetit ka një lidhje të drejtë me shkallën e edukimit dhe të kualifikimit të fuqisë punëtore. Reforma e sistemit të lartë arsimor dhe rritja e theksit në arsimin profesional, janë dimensione esenciale të ristrukturimit të ekonomisë, frytet e të cilave do të bëhen gjithnjë e më të dukshme në afatin e gjatë. Megjithatë, Shqipëria ka ende punë për të bërë në këtë drejtim, në veçanti drejt frenimin të emigrimit të fuqisë së kualifikuar punëtore dhe të rifreskimit të aftësive të fuqisë së saj punëtore nga sektori privat.

Produktiviteti i ekonomisë shqiptare lidhet ndër të tjera edhe me përmirësimin e aftësive manaxheriale të biznesit dhe përqëndrimin nga ndërtimi e tregtia drejt industrisë dhe shërbimeve të eksportit.

Sejko: Produktiviteti është i lidhur ngushtë me përmirësimin e aftësive manaxheriale të biznesit. Fushata për rritjen e formalizimit, rritja graduale e konkurrencës, si dhe ri-shikimi i ligjit për falimentin, do të krijojnë stimujt e duhur në këtë drejtim. 

Në veçanti, jam i bindur se përmirësimet ligjore e nënligjore të bëra në drejtim të respektimit të kontratës së kredisë bankare, do të ndihmojnë jo thjesht e vetëm shëndetin e bankave, por do të stimulojnë dhe rritjen e disiplinës dhe efektivitetit në përdorimin e fondeve nga bizneset shqiptare.

Jam i bindur se Shqipëria i ka të gjitha premisat për rritjen e produktivitetit dhe në këtë mënyrë, për përshpejtimin e ritmit të rritjes ekonomike dhe rritjen e mirëqenies. Ajo që duhet tashmë, është një konsensus mbi vizionin e zhvillimit të vendit dhe një vullnet i gjithanshëm i zbatimit të tij.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Drejtori ekzekutiv i Bankës Botërore për Shqipërinë, Patrizio Pagano.

Në prezantimin Pagano shtjelloi fenomenin e ngadalësimit të rritjes së ekonomive të zhvilluara në periudhën pas krizës dhe u ndal në analizën e faktorëve.

LEAVE A REPLY