Deputetja e LSI, Malaj: Të shkulim një herë e mirë këtë realitet dhunues…

0
486

Deputetja e LSI-së, Nora Malaj flet për “Koha Jonë”: Plani Mbarëkombëtar për largimin e drogës nga shkolla, i mbështetur në pesë shtylla

Intervistoi: Redjon Shtylla

“Sipari i betejës së madhe, është pa kthim. Në luftë frontale për të hequr dhe larguar njëherë e mirë këtë realitet dhunues”, janë fjalët e deputetes së LSI-së, Nora Malaj, për çështjen “Xhisiela Maloku”. Në një intervistë për “Koha Jonë”, deputetja flet për më shumë për arsyet pse opozita thërret të hënën në protestë përballë Kryeministri të gjithë shqiptarët. Nora Malaj, thotë se nisja e betejës ndaj qeverisë nuk do të ketë të ndalur. Për “Koha Jonë”, Malaj tregon për aksion Mbarëkombëtar “Të shpëtojmë dhe të largojmë drogën nga shkolla”, ku thotë se do të mbështetet në pesë shtylla.

Paraditen e së shtunës, së bashku me deputetet e opozitës i bëtë thirrje grave në mbarë vendin, që ti bashkohen protestës së shoqërisë civile për të dënuar dhunën ndaj 25-vjeçares nga djali i deputetit të PS-së. Çfarë kërkohet me atë protestë dhe a është mjaftueshëm një tubim për Xhisielat që ndodhen në të njëjtin pozitë?

Përgjigjen e kësaj pyetjeje dua tua jap si deputete që përfaqësojë qarkun e Durrësit dhe që jam votuar nga banorët e zonës së Krujës, Fushë-Krujës, Niklës, Bubqit dhe të gjithë komunave e bashkive që përfaqëson ky qark. Gjatë periudhës së fushatës, kur kam trokitur shtëpi më shtëpi,  u jam betuar qytetarëve të kësaj zone, se kur të shkoj në Parlament, do të jem denoncuesja dhe mbështesja e parë dhe luftëtarja për të mbrojtur të drejta e çdo individ, cilitdo qoftë që i shkelen të drejtat dhe liritë e tij. Ngjarja e ndodhur sot nuk i përket vetëm Xhisielës apo grave, po është jetike për çdo kënd nga ne. Kjo ngjarje e paralajmëruar, që ka ndodhur në Bashkinë e Fushë-Krujës i ngjan goditjes së një cunami, që ende nuk  i ka dhënë pasojat fatale.

Tabloja që na shfaqet është ulëritëse, ndaj dhe tubimi i sapo nisur është vetëm sipari i betejës së madhe, pa kthim. Në luftë frontale për të hequr dhe larguar njëherë e mirë këtë realitet dhunues për mbarë shoqërinë. Sot të gjithë ndjehemi të dhunuar, burra e gra, vajza e djem, nëna e baballarë. Sot shtetit iu thye edhe karrigia e fundit ku kapej fortë, si i mbyturi pas traut, ajo e moralit për të  “propaganduar” që është shteti i shqiptarëve dhe i qytetarëve. Sot ka rënë institucioni i besimit, është thyer besimi se e drejta triumfon dhe është në anën e të dëmtuarit dhe jo të atij që shkakton dhunën.

Sot kjo çështje nuk i përket më gruas vetëm si ngjarje, po ajo i përket të gjithë shoqërisë, pa dallim feje, krahine, ideje, besimi apo bindje politike. Sot dhe koha është kundra nesh dhe duhet vepruar. Në një shtet inekzisten, kauza për të mbrojtur qytetarët e vendit tënd është detyra e parë dhe betimi që bëmë kur populli na mandatoi është se ne nuk mund që të flasim në emër të popullit dhe ndërkohë të rrimë sehirxhi duke parë me indiferencë, dramë e dhimbshme të radhës, që po ndodh në kurriz të populli që ti përfaqëson. Kjo do të thotë që ti nuk meriton të quhesh deputet. Vetëm ata që kanë guxim për të shkruar fjalën “fund”, janë të aftë për të shkruar fjalën “fillim”.

Tashmë këmbantat bien për një fillim të ri, ku politika të ketë kodin e moralit dhe ku të drejtohet nga ata përfaqësues që e kanë të shenjtë vendin, kombin dhe jetën e qytetarëve që përfaqësojnë. Tubimi ynë sapo ka nisur. Sot (dje) ishte i pari, nesër do të jetë tjetri, për të vazhduar dhe përshkallëzuar deri në zhdukjen në rrënjë të kësaj të keqe të madhe që quhet përdhunim dhe krim. Beteja jonë është luftë pa kompromis për të zhdukur nga rrënjët të keqen që e la emrin Xhisiela, pasi ne të gjithë, burra e gra jemi pak Xhisiela, se ndjehemi të dhunuar, të përbuzur e të persekutuar nga shteti i kriminalizuar.

Që prej janarit e në vazhdim, LSI-ja ka denoncuar për shitjen e hashashit në gjimnaze dhe në shkolla. Së fundmi, jeni shprehur për një aksion kombëtar. Çfarë do të bëjë LSI-ja për të shkulur drogën nga shkollat? Çfarë plani keni konkretisht?

Ka shumë kohë që të LSI-ja dhe forumi i saj rinor e ka kthyer në lajtmotiv luftën e saj për të bërë një betejë frontale me të gjithë aktorët, për të luftuar këtë të keqe të madhe, që si një orë me zile, tingëllon frikshëm në kokat dhe në shtëpitë e çdo familje shqiptare. Ne kemi realizuar shumë nisma e denoncimi, kemi shpërndarë materiale sensibilizuese, kemi përdoren foltoren e Parlamentit dhe në çdo dalje tonë, duke filluar nga Monika Kryemadhi dhe i gjithë grupi i deputetëve tanë, kemi bërë denoncues dhe kemi lobuar fort që shoqëria të bëhet e përgjegjshme për rrezikun që si gjarpri me zile rri prapa derës dhe  pret rastin që të lëshoj gjuhën e tij të helmet për të helmuar rininë Shqiptare dhe për ta bërë të pafat e për ta kthyer këtë fenomen në plagën më të tmerrshme dhe vdekjeprurëse të shoqërisë. Po sot është sot për të filluar aksion mbarë kombëtarë: “Të largojmë dhe të shpëtojmë shkollën nga droga”.

Ky aksion do të realizohet mbështetur në pesë shtylla, te familja dhe misioni i saj, për të bërë të gjithë prindërit e Shqipërisë  bashkë në këtë luftë frontale, te mësuesit, mjekët, punonjësit social dhe psikologët për realizimin e platformës për ta kthyer shkollën qendër komunitare jo thjeshtë në letër, po si një mision për të larguar drogën nga shkolla, duke intensifikuar masat e sigurisë, duke detyrat e ministrive të linjës për zbatimin me rreptësi dhe kontrollin nëpërmjet masave të dedikuar për parandalimin dhe luftën kundra këtij fenomeni, duke përshkallëzuar ndërgjegjësimin nëpërmjet të gjithë nxënësve dhe këshillave studentore, nën moton: “Bashkohu dhe ti me mua për të fituat jetën”.

Në shtyllën e tretë që jeni ju, mediat, për të rritur dhe intensifikuar programe të dedikuara, jo vetëm për denoncimin por edhe për parandalimin, duke motivuar dhe nxitur debatin dhe diskutimin në çdo familje dhe institucion.

Shtylla e katër do të jetë parlamenti, deputetët “Miqtë e fëmijëve”, “Aleanca e deputeteve  gra”, për të bërë paketën e ndryshimeve për të forcuar parandalimin dhe edukimin e shoqërisë për luftimin e këtij fenomeni. Shtylla e fundit shoqëria civile dhe organizata jo qeveritare, për ti bërë bashkë për të finalizuar hartimin e një drafti.

Ky është një aksion mbarëkombëtar, që nis me propozimin e deputetëve të LSI-së dhe del mbi palët dhe politikën për ti shërbyer shoqërisë dhe të ardhmes së vendit, duke fuqizuar familjen dhe rolin e saj, duke detyruar qeverinë të zbatojë një plan mbarëkombëtar dhe duke i dhënë Parlamentit rolin e tij të monitoruesit për zbatimin e kësaj rezolute.

Ju jeni shprehur për nisma ligjore dhe për të bërë ndryshime në ligjet aktuale por nuk besoni se kjo rrugë e vonon më shumë implementimin e masave, në vend që qeveria të marrë masa të menjëhershme, kur LSI-ja ka thënë se në gjimnaze gjen më shpejt hashashin sesa shkumësin?

Qeveria ka kohë që ka dështuar në betejën me krimin e drogën, ndaj dhe nisma jonë është thirrje për familjen, prindërit, për  shkollën, për institucionet  e pavarura që krijojmë zinxhirin e sigurisë dhe të mbrojtjes për të ardhmen e fëmijëve tanë. Ndaj Parlamenti ka një mision dhe detyrë shumë të rëndësishme, që krahas masave drastike për ruajtjen dhe sigurinë, të hartojë paketën ligjore me masa shtrënguese, për ta ruajtur shkollën e për ta bërë vend të sigurt për fëmijët, në të kundërt jo sot, po nesër (thënë ndryshe dje) ne do të përballemi me katastrofën më të madhe në historisë së shqiptarëve, pas asaj që po ndodh me procesin e emigrimit, që do të quhet “skllavëria moderne për të rinjtë shqiptarë në shekullin e ri” dhe ky do jetë fati tragjik që do ta përjetojë çdo familje.

Është bërë një raport i fundit i EUROSTAT, që e nxjerr Shqipërinë ndër vendet e para në rajon në humbjen e njerëzve. Ky fenomen mund vë në rrezik hapjen e negociatave dhe mund të kërcënojë lëvizjen e lirë?

Ka kohë. Po shume kohë që Shqipëria po përballet me një situatë të trishtë, e cila ka kaluar në një gjendje të pashpresë. Shqiptarët duan të largohen nga vendi. Kjo tashmë është kthyer në lajtmotivin  e bisedave në kafene, në taksi, në bashkëbisedimin me miqtë dhe në çdo kosto apo në çdo rast fatkeqësie. Pa dyshim,që kjo tregon se shteti shqiptar, me zë e figurë. Nuk realizon dot përgjegjësitë e tij për qytetarët e vendit dhe defacto ka rënë, de jure është kapur kaps nga krimi i organizuar dhe oligarkët dhe nuk ka rrugëzgjidhje tjetër vetëm se tashmë është dorëzuar pa kushte. Kjo është dhimbja më e madhe, pasi duke qenë i paaftë për kolapsin ekonomik dhe krizën sociale në të cilën ndodhet, iu hakërrehet qytetarëve të saj, duke dënuar këdo dhe duke i detyruar që qytetarët të zgjedhim si alternative të vetme rrugën e emigrimit dhe largimit  përfundimisht nga Shqipëria. Natyrisht kjo politikë anti-humane ndikon jo vetëm në procesin e integrimit po edhe në sigurinë e vendit. Ndaj Franca dhe vendet e tjera janë skeptike dhe shumë të prerë për të mos hapur dritën jeshile për çeljen e negociatave  për integrimin.

Si e vlerësoni ju paketën e re të qeverisë për bonuset apo shpërblimet e lindjes dhe sa do ta nxisë kjo masë shtimin e numrit të lindjeve në vend?

Gjithnjë e kam vlerësuar dhe do të jem mbështetëse dhe përkrahëse e çdo nisme pozitive dhe kur kjo vjen e vonuar, e pa studiuar dhe duket si një salvaxhete, për të shpëtuar situatën emergjente  me të cilën po përballet Shqipëria, drejt minimalizimit të lindjeve dhe plakje me ritme të frikshme të popullsisë. Kjo do të thotë që në një të ardhme të afërt, breza të tërë që do të dalin në pension, do të përballen me një situate tragjike, pasi të ardhurat e tyre do të jenë minimaliste,  pasi qeveria do ta ketë shumë të vështirë të sigurojë fondin e të ardhurave nga buxheti i shteti, për arsye se fuqia aktive për punë do të jete shumë më e vogël, në raport me fuqinë jo aktive.

Si do të largohet Edi Rama nga pushteti? Fronti opozitar ka lëshuar paralajmërime të forta, edhe në aspektin verbal. Do i bëjë opozita thirrje qytetarëve për revolta?

Tashmë kjo qeveri i ka ditët e numëruara. Karrigia e kryeministrit tashmë është thyer, po ajo që pritet të vij është fundi i të keqes. Ekzistojnë dy ditë në vit që nuk mund të bësh asgjë, njëra quhet “dje” dhe tjetra “nesër”. Prandaj e sotmja është një ditë e përshtatshme për  t’u bërë të gjithë bashkë kundra  keqqeverisjes së vendit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here