Vrasja në Bllok, Geldo Hoti qëlloi me armë, këngëtarja Gjata vetëm pretekst

0
1760

Geldo Hoti, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri gjatë përplasjes së ndodhur mbrëmjen e së enjtes së 4 tetorit në zonën  e Bllokut në Tiranë.

Policia bëri me dije të shtunën se Hoti është ndaluar në tentativë për tu larguar nga Shqipëria përmes pikës kufitare të Kakavijës.

Sipas policisë së shtetit ka prova se 37-vjeçari ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes mbrëmjen e së enjtes dhe madje ka qëlluar me armë në konfliktin në të cilin humbi jetën  Fabio Gaxha dhe mbetën të plagosur shtetasit Ervis Martinaj dhe Eljon Hato.

Rezulton se Hoti, i cili është mik i Merviol Bilos, një nga të dyshuarit kryesorë të ngjarjes, ka qëlluar me armë ndoshta i pari në momentin kur nisi konflikti.

Ndaj Hotit rëndojnë veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim” si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Kur kanë kaluar dy ditë nga ngjarja kriminale, materialet nuk i kanë kaluar akoma organit të akuzës. Ndërkohë për policinë, pista kryesore mbetet sherri për këngëtaren Elvana Gjata

Rezulton po ashtu se Geldo Hoti ishte në të njëjtën tavolinë me truprojen e Elvana Gjatës, komandon Merviol Bilo, me të dashurin e këngëtares Ervin Mata si dhe Fabjol Alushin.

Policia tha se shkak i sherrit që përfundoi në atentat me viktima ka qenë këngëtarja Elvana Gjata por një fakt i tillë nga provat pritet që të bjerë, duke qenë se personat janë të gjithë me precedentë penalë, përjashtuar komandon që ende është në kërkim.

Policia arrestoi ditën e premte Ervis Martinaj dhe Eljon Haton, të dy të shtruar në spital.

Mësohet se të shtunën është marrë në pyetje dhe Ervis Martinaj, i cili ndodhet në një spital privat. Atij pritet ti komunikohet akuza dhe të kërkohet arrest me burg nga gjykata.

Ndërsa në kërkim vijojnë të mbeten  Ervin Mata, 31 vjeç, Fabjol Alushi, 42 vjeç dhe Merviol Bilo, 41 vjeç, të tre banues në Tiranë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here