Banka Botërore: Mbi 925 mijë shqiptarë jetojnë në varfëri

0
1313

Banka Botërore deklaron se 31 për qind e popullsisë shqiptare është e zhytur në varfëri, pasi jeton me më pak se 5.5 dollarë për frymë në ditë. Shifra, e cila është bërë publike në raportin e fundit periodik mbi zhvillimet ekonomike në Ballkan, tregon se mbi 925 mijë shqiptarë jetojnë në varfëri duke patur një nivel të ardhurash që nuk u siguron as mbijetesën. .

Sipas Bankës Shqipëria është vendi më nivelin më të lartë të varfërisë relative në rajon, me diferencë të madhe nga vendet e tjera të ngjashme. Në Serbi, që është vendi i dytë më i varfër, pjesa e popullsisë që jeton me më pak se 5.5 dollarë në ditë është 22.4 për qind, ndërsa në Malin e Zi shifra është vetëm 4.4 për qind.

Në tre vitet e fundit popullsia që jeton me më pak se 5.5 dollarë në ditë është pakësuar me 3.1 për qind ose 88 mijë vetë si pasojë e rritjes ekonomike. Por sërish mbi 925 mijë shqiptarë ngelen poshtë këtij niveli të ardhurash.

Sipas Bankës Shqipëria do të vazhdojë të mbetet vendi më i varfër i Ballkanit edhe në tre vitet e ardhshme, edhe pse varfëria pritet të vijë në rënie. Në raport, Banka parashikon se në vitin 2020, pjesa e shqiptarëve që jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë pritet të jetë 24 për qind e totalit të popullsisë ose rreth 670 mijë vetë.

Ekspertët thonë se ulja e varfërisë në Shqipëri është penguar nga disa politika kontroverse të qeverisë, si përjashtimi i mijëra familjeve nga ndihma ekonomike, përfshirja e biznesit të vogël në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar apo dhe ngrirja e pensioneve.

Pak ditë më parë Banka e Shqipërisë, raportoi se biznesi i vogël, i cili përbëhet kryesisht nga bizneset familjare të mbijetesës, është në krizë të thellë financiare dhe po përballet me rënie të shitjeve, por edhe rritje të borxheve. Po kështu të dhënat zyrtare nga Tatimet tregojnë se në periudhën janar shtator të këtij viti, mbi 11 mijë e 900 biznese kaluan në status pasiv duke mbyllur aktivitetin.

Këto janë kryesisht biznese të vogla, që zotërohen nga familjet. Mbyllja e tyre si pasojë e vështirësive rrezikon që këto familje të zhyten në varfëri, duke përkeqësuar më tej treguesit e varfërisë në vend.

Image

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here