Rreth 350 klasa kolektive ku merrnin mësim nxënës të grupmoshave të ndryshme u mbyllën këtë vit të ri arsimor.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, teksa raportoi në Komisionin e Edukimit, tha se janë zhvendosur në shkollat më të afërta rreth 2900 nxënës.

Lindita Nikolla: Kemi të bëjmë me 228 shkolla që kishin klasa kolektive dhe në fakt janë shkolla vartëse, shkolla që kishin dhe 5 nxënës. Janë 348 klasa kolektive që ne i kemi mbyllur dhe nuk funksionojnë më si të tilla.

Opozita e bojkotoi këtë të mërkurë Komisionin, por Ministrja Nikolla iu përgjigj akuzave në lidhje me shkollën në Mengël të Elbasanit, ku tha se deputetët e PD-së krijuan një stuhi në gotë.

Lindita Nikolla: Nëse e shikojmë me një sy të vëmendshëm atë video, autobusët e Bashkisë dhe Drejtorisë Arsimore prisnin ndërkohë që deputeti pengonte nxënësit dhe prindërit e tyre për të vijuar mësimin normalisht.

Nikolla shprehu rezerva edhe për disa drejtues shkollash ku tha se ka ende raste ku në krye të institucioneve arsimore janë emëruar persona që kanë lidhje me politikën.

Ajo u shpreh se shkolla e drejtorëve do të trajnojë dhe certifikojë të gjithë ata që aspirojnë drejtimin e shkollave.

LEAVE A REPLY