Fati i marrëveshjes së detit pas dorëheqjes së Kotzias? Arta Dade: Negociatat do të vazhdojnë

0
729

Dorëheqja e Ministrit të Jashtëm Grek Nikoz Kotzias, erdhi në një moment kur mes Shqipërisë dhe Greqisë pritej arritja e një marrëveshje për çështjen e kufirit detar.

Por ashtu si në Shqipëri, edhe mediat në Greqi kanë shtruar pyetjen nëse do të ndryshojë qasja e politikës së jashtme greke në lidhje me këtë çështje?

Për ish-Ministren e Jashtme, Arta Dade, marrëdhënia mes Tiranës dhe Athinës nuk do të ndryshojë pas dorëheqjes së Kotzias.

Arta Dade: Negociatat do të vazhdojnë dhe shpresoj që ato të zgjidhen në interes dhe në dobi të korrigjimit të asaj çka ndodhi në marrëveshjen e parë.

Edhe për diplomatin Shaban Murati, paketa e Kotzias për marrëveshjen e detit nuk do të ketë ndryshime.

Shaban Murati: Marrëdhëniet mes dy shteteve nuk varen as nga Ministrat e Jashtëm dhe as nga Kryeministrat. Problemet kanë mbetur akoma në tryezën diplomatike dhe në tryezë diplomatike kontribuojnë të gjithë edhe Ministrat e Jashtëm, edhe Kryeministrat, pavarësisht se çfarë emrash kanë.

Shefi i diplomacisë greke dha dorëheqjen të mërkurën, pas një debati me Ministrin e Mbrojtjes Panos Kammenos, kryetar i Grekëve të Pavarur.

Pas largimit të Kotzias, drejtimin e diplomacisë greke e ka marrë kryeministri Aleksis Tsipras.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here