Turqia i kërkon Shqipërisë të mbyllë institucionet antiturke në Shqipëri si dhe të ekstradojë elementët e organizatës “FETO”.
Ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlűt Çavușoğlű i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare dy ditore deklaroi se elementë të organizatës, që Turqia e quan terroriste, kanë depërtuar jo vetëm në sistemin arsimor por dhe në nivele të larta shtetërore në Shqipëri.
Duke kërkuar ekstradimin e tyre, kryediplomati turk bëri të ditur se Turqia i ka vënë në dispozicion listën me emrat dhe pret që shteti që ai e quajti “mik” ta bëjë sa më parë.
Por ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ia tha në sy homologut turk se Shqipëria do të respektojë dokumentet ndërkombëtare për këtë çështje, duke bërë të qartë se kjo rrugë ndiqet në rrugë diplomatike e jo konferenca shtypi.
Ditmir Bushati: “Shqipëria ka qenë një nga vendet e para që është solidarizuar me çfarë ndodhi në Turqi, në rrethanat e grushtit të shtetit, por nga ana tjetër është vend anëtar i NATO-s, kandidat për në BE, ka aderuar në disa dokumente të rëndësishme ndërkombëtarë në fushën e ekstradimit dhe çdo politikë e tillë ndiqet në rrugë diplomatike dhe asesi në konferenca shtypi.”
Çavușoğlű: Është e dobishme të shikohet si funksionon kjo organizatë FETO. Ajo bëri një grusht shteti në Turqi. Atë natë 251 shtetas turq u masakruan, më shumë se 2000 u plagosën. Është një organizatë terroriste që përdori tanket kundër popullit tonë. Bombarduan parlamentin dhe dy pika të rëndësishme të Stambollit dhe Ankarasë por falë guximit të popullit dhe urtësisë së presidentit tonë Erdoan e mposhtëm këtë grusht shteti.
Sikur të kishte fituar ky grusht shteti edhe ju mund të parashikoni çfarë do të kishte ndodhur atë natë.
Por Shqipëria pas atij grushti shteti ka treguar një shembull të gjallë solidariteti ndaj Turqisë, por ka një të vërtetë. Ka një strukturë FETO-iste tepër serioze në Shqipëri në çdo fushë. Si në vendet e tjera ata kanë përdorur sidomos sistemin arsimor dhe kanë depërtuar shumë mirë brenda në sistemin shtetëror. Nuk mund të hedhin më hapa të tjerë. Kjo organizatë terroriste është një kërcënim i hapur dhe i madh kundër Turqisë. Ata nuk janë vetëm e dimë mirë si veprojnë ata. E dimë që këtu ka elementë të FETOS dhe presim diçka nga Shqipëria mike. Presim që të mbyllen institucionet që zhvillojnë veprimtari antiturke në Shqipëri. Kjo është pritshmëri e jona.”
Çavușoğlű: Kemi dorëzuar listën me emrat e FETO qe duam ekstradimin
Çavușoğlű: Pas tentativës për grusht shteti, pritshmërinë tonë nga Shqipëria e kemi transmetuar dhe përcjellë në mënyrë të qartë të gjitha kërkesat, hapat që duhen hedhur për eliminimin e FETO-s këtu. Eliminimine veprimtarisë kundër Turqisë që zhvillohet këtu dhe gjithmonë kemi dhënë lista me emrat e tyre miqve tanë shqiptarë. Gjithashtu janë dhe personat që kërkojmë ekstradimin e tyre. E kemi bërë këtë kërkesë dhe në mënyrë zyrtare në kuadër të së drejtës ndërkombëtare. Kemi paraqitur vendimet përkatëse të gjykatës, dokumentet përkatëse, presim që të realizohen. Kjo është e rëndësishme për ne por dhe për Shqipërinë mike. Fondacioni Maarif ka marrë përsipër, meqë pa rrezkun e FETO ka marrë shumë shkolla në vende të ndryshme. Ose do të marrë shkollat ekzistuese ose në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit do të hapë shkollat e veta.
Një vit më parë gjykata e Durrësit liroi pedagogun Muhammed Yasir Aydogmus dhe bashkëshorten e tij për të cilat Turqia kishte kërkuar ekstradim të menjëhershëm duke iu përgjigjur negativisht kërkesës turke.
Erdogan dhe Rama firmosin, 3 miliarde dollare investime
Diplomati turk nuk pohoi por dhe as mohoi faktin që përurimi i Xhamisë së Namazgjasë lidhet me ndonjë kusht që qeveria e tij ia ka vënë Shqipërisë. Të dy ministrat e jashtë ranë dakord për të ngritur nivelin e bashkëpunimit në nivele të larta ku përfshihen mbledhjet e përbashkëta të qeverive apo krijimi i këshillit të lartë të bashkëpunimit.
Mes Turqise dhe Shqiperise zyrtarizohet bashkepunimi ne nivele te larta. Sipas marreveshjes mekanizmi i bashkepunimit do të koordinohet nga dy ministrat e jashtëm të dy shteteve.
Çavușoğlű: “Sot kemi sigluar deklaratën për bashkëpunimin e nivelit të lartë, e cila me nënshkrimin që do të bëhet nga presidenti ynë Erdogan dhe kryeministri Edi Rama do të zyrtarizohet dhe niveli i bashkëpunimit tonë do të arrijë nivelin më të lartë. Një mekanizëm të tillë Turqia e ka bërë me 22 vende. Kemi organizuar takime të përbashkëta të qeverive të ndryshme dhe gjatë këtyre takimeve merren vendime të rëndësishme, nënshkruhen marrëveshje të rëndësishme dhe ndjekja e këtij procesi bëhet nga ministrat e jashtëm. Me këtë mekanizëm të ri që po krijojmë me Shqipërinë do zhvillohet veprimtaria në kordinim me dy ministrat e jashtëm që do të ndjekin procesin dhe në kohën e duhur do të hedhin hapat e duhura. Mendoj se do të jetë një mekanizëm tepër i dobishëm. Sot trajtuam në të gjitha dimensionet marrëdhëniet tona dypalëshe. Marrëdhëniet tona ekonomike po zhvillohen çdo ditë e më tepër, po rritet tregtia mes nesh, investime turke në Shqipëri dhe është rritur numri i firmave që veprojnë në Shqipëri. Aktualisht janë 3 miliardë dollarë amerikanë investime turke në Shqipëri.
Ajo çfarë ra në sy ishte dhe përmendja e dollarit amerikan në një kohër kur Erdogan kishte kërkuar publikisht heqjen e dollarit nga përdorimi.
Çavușoğlű nis takimet në Tiranë me përqafim të ngrohtë me Bushatin
Ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlűt Çavușoğlű nisi takimet me zyrtarët e lartë të shtetit sot në Tiranë. Pritja e parë u bë në Ministrinë e Jashtme nga homologu, Ditmir Bushati.
Në përfundim të takimit, ora 10:35, të dy ministrat, Bushati dhe Çavușoğlű mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp.
Gjatë qëndrimit do të takohet edhe me kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi
Kryediplomati turk ndodhet në Tiranë që prej ditës së djeshme, dhe gjatë një takimi me anëtarët e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi (ATTSO), u shpreh se me kryeministrin Rama kishte marrëdhënie shumë të ngushta
“Për marrëdhëniet ekonomike do të punojmë vazhdimisht. Kemi marrëdhënie shumë të ngushta me kryeministrin e Shqipërisë dhe do të hedhim hapa të rëndësishëm për zhvillimin e projekteve të ndryshme. Kemi krijuar mekanizma të ndryshëm për ekonominë. Kemi besimin së marrëdhëniet ekonomike dypalëshe do të kenë një rritje”, tha ministri Cavusoglu.