Trump: SHBA do të tërhiqen nga traktati bërthamor me Rusinë

0
546

Presidenti amerikan Donald Trump tha dje se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga Traktati për Forcat Bërthamore me rreze të mesme veprimi, pasi Rusia e ka shkelur traktatin. Megjithatë, ai nuk dha hollësi rreth shkeljeve që Rusia i ka bërë traktatit bërthamor të luftës së ftohtë.

Marrëveshja e negociuar në fund të viteve 1980 kërkonte eliminimin e raketave bërthamore dhe konvencionale me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi nga të dyja vendet.

“Rusia e ka shkelur marrëveshjen. Ata e kanë shkelur atë për shumë vite dhe nuk e di pse Presidenti Obama nuk negocioi ose nuk u tërhoq nga traktati. Ne nuk do t’i lejojmë ata të shkelin marrëveshjen bërthamore, duke prodhuar armë që ne nuk na lejohet”.

Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara do të prodhojnë armë të reja nëse Rusia dhe Kina nuk bien dakord për ndalimin e tyre.

“Ne do ta bëjmë këtë nëse Rusia dhe Kina nuk vijnë të na thonë: ‘Të marrim një vendim të mençur për të mos prodhuar këto lloje armësh’. Por është e papranueshme që Rusia dhe Kina shkelin marrëveshjne ndërkohë që ne e respoektojmë atë”.

Moska tha sot se tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja është një “hap i rrezikshëm”.

Rusia ka mohuar shkeljen e traktatit, ndërsa Kina nuk është pjesë e tij.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë më parë se Rusia ka shkelur traktatin duke dislokuar një raketë tokësore me qëllim që të paraqesë një kërcënim për NATO-n. Rusia ka pohuar se programi amerikan për mbrojtjen nga raketat shkel marrëveshjen.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here