Basha: Po hidhen miliona për të penguar arrestimin e Vangjush Dakos

0
620

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, doli para mediave për të ripërsëritur me bindje se vendi është në zgjedhën e krimit, që siç thotë ai, ka mbështetje politike.

Arrestimet e fundit, tha Basha, janë thjesht farsë, ndërsa akuzoi se po përdoren mijëra euro për të pamundësuar arrestimin e kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako.

Basha: Pse nuk arrestohet Vangjush Dako? Kush ka ndërhyrë që të mos arrestohet Vangjush Dako? Kush i ka bërë presion prokurorëve që të mos e arrestojnë Vangjush Dakon? A po bëhen përpjekje, a po hidhen miliona, po ushtrohet presion politik për të shkatërruar provat që duhet të çojnë në arrestimin e Vangjush Dakos dhe jo vetëm, edhe të deputetëve të tjerë të Partisë Socialiste, edhe ministrave të Partisë Socialiste, të cilët tashmë jo thjesht në foto apo filmime të qytetarëve apo të opozitës, por në provat e prokurorisë rezultojnë të përfshirë në pazare me bandat e krimit të organizuar për të sjellë vota të paligjshme dhe mandate të paligjshme për Partinë Socialiste.

Kreu i opozitës listoi emrat e socialistëve që sipas tij kanë lidhje me bandat. Basha tha se në 2017 në Fushë Krujë votat u grabitën nga kriminelët e lidhur me deputetin Rrahman Rraja, në Lezhë nga Ndokajt, në Kavajë nga Elvis Rroshi, në Elbasan nga kryebashkiaku Qazim Sejdini, ndërsa shtoi se në Dibër Prokuroria ka një dosje ku janë përfshirë Saimir Tahiri, Damian Gjiknuri dhe Ulsi Manja.

Basha: Falë këtyre provave të bëra publike, mund të themi me siguri se krimi i ka siguruar Edi Ramës të paktën 10-15 mandate përmes kërcënimit, grabitjes dhe blerjes së votës. Një pushtet që merret me ndihmën e kriminelëve do të punojë me kriminelët për kriminelët: Një pushtet që buron nga krimi, do të ekzistojë si pushtet i krimit.

Përballë asaj që e quan moment kritik për vendin, Basha foli për zgjedhje të parakohshme, por më parë tha ai, duhet të arrihen dy gjëra.

Basha: Çështja kryesore që ju kam parashtruar është si do të kthejmë zgjedhjet në mënyrë që të kthejmë pushtetin tek qytetarët, në mënyrë që mirë apo keq, kryebashkiakët, deputetët, dhe qeveritarët të jenë produkt i vullnetit të qytetarëve dhe jo të kriminelëve. Ky është problemi kryesor, kjo është nëna e të gjithë problemeve.Pa zgjidhur këtë problem asnjë çështje tjetër nuk do të marrë rrugë.

Në kohën kur Basha ishte në konferencë për shtyp, Kuvendi po diskutonte dekretin e Presidentit për teatrin.

Basha: Ne do të kundërshtojmë me të gjitha format dhe mënyrat në krah të qytetarëve dhe artistëve dhe padyshim që Teatri është dhe mbetet vija e kuqe.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here