Meta në Qendrën “Marshall”: Marrëveshja Serbi-Kosovë, dëm një investimi sigurie prej dy dekadash

0
573

Ndër të tjera Presidenti Meta sot në Qendrën Europiane “Xhorxh Marshall” në Garmish të Gjermanisë, në lidhje me lojën Thaçi-Vuçiç, për “ndryshim kufijsh” tha:

“Nëse do të shkojë edhe më tej, ne mund të parashikojmë vetëm se pasojat e tij do të ishin krejtësisht të paparashikueshme. Mund të konsiderohet si kronika e një konflikti të parathënë e të paralajmëruar.

Më lejoni të jem i qartë, kërkimi i normalizimit të marrëdhënieve nëpërmjet shkëmbimit të territoreve do të thotë të shkatërrosh e të çosh dëm një investim sigurie prej dy dekadash.

Le të risjellim në kujtesën tonë se si ambiciet politike që u përpoqën të krijojnë shtete etnike homogjene në Ballkan prodhuan tragjedi të tmerrshme njerëzore.

Mijëra viktima dhe persona të zhdukur, dhjetëra mijëra njerëz të zhvendosur forcërisht ishin pasojat alarmuese të genocidit të Millosheviçit.

Ky terror çoi në angazhimin e parë ushtarak të Aleancës Perëndimore në historinë e saj pesëdhjetëvjeçare.

Ndërhyrja vendimtare e NATO-s në Kosovë krijoi një ekuilibër të ri në marrëdhëniet midis Ballkanit dhe Perëndimit, që do të thotë SHBA, NATO dhe Bashkimi Europian.

Që prej atëherë, ky rajon është përfshirë në zotërimin e tyre të sigurisë si e vetmja antidotë për të pasur e gëzuar paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm.

Modeli europian i bashkëjetesës është i vetmi kusht si ne qua non (i domosdoshëm) për të ardhmen e Ballkanit dhe perspektivën e tij europiane.

Ky model është në zemër të Paketës së Ahtisaarit, shtyllës kryesore të marrëveshjes së paqes mes Kosovës dhe Serbisë.

Pasi Kosova e mishëroi dhe e përfshiu këtë paketë në kushtetutën e vet dhe ndoqi rrugën e saj të parashikuar të pavarësisë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vulosi procesin me vendimin e saj ligjor, duke pranuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe integritetin territorial në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.

Kosova është e njohur dhe e pranuar nga shumica e vendeve anëtarë të OKB-së, përfshirë 23 anëtarët e BE-së dhe të gjitha vendet e rajonit tonë, përveç Serbisë.

Qëllimi i dialogut të udhëhequr nga BE-ja ishte të sillte përfundimin e tërë këtij procesi. I fuqizuar nga vlerat dhe parimet e Bashkimit Europian, ai lehtëson normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, deri më tani duke prodhuar një paketë prej 24 marrëveshjeve, të miratuara nga të dyja vendet.

Do të ishte përtej çdo logjikimi të arsyeshëm se tani ky dialog po prodhon një marrëveshje të re, që ndryshon kufijtë përgjatë vijave etnike, duke shkuar kundër një procesi që ka zgjatur afro dy dekada si dhe kundër vetë konceptit dhe frymës së Bashkimit Europian, ashtu siç i dimë.

E kuptoj plotësisht shqetësimin dhe vështirësitë e të njëjtëve zëra europianë, të zhgënjyer, në një farë mënyre, nga “problemet e pazgjidhura të kufijve” mes vendeve të BE-së dhe tani, ata pretendojnë dhe paraqesin “zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje” si një kusht të fortë para anëtarësimit.

Por në të njëjtën kohë, unë jam kundër çdo procesi, angazhimi, projekti që, në rajonin e Ballkanit, mund të bjerë ndesh me investimin e NATO-s dhe Bashkimit Europian për çështjen e sigurisë, stabilitetit, paqes dhe gjeopolitikën.

Çështjet e kufijve nuk janë thjesht ato të një rruge, ose një rezorti turistik në fshat, projekti i të cilit ka nevojë vetëm për një kompjuter, ca vija harte gjeografike dhe disa ustallarë informatikë.

Sidomos në një rajon, ku vetëm 20 vjet më parë, popullata të tëra, qytete, fshatra, familje, etni dhe besime të ndryshme luftuan dhe u masakruan për qytete, fshatra dhe sinore shtëpish, shkëmbimet e kufijve të projektit u bënë një çështje e veçantë dhe shumë e ndjeshme.

Kjo është një çështje e jetës së përditshme të njerëzve dhe historisë së tyre.

Është çështje e së kaluarës, e së tashmes dhe së ardhmes së këtyre njerëzve.

Marrëveshjet e korrigjimit të kufijve nuk janë çështje e hartimit të tyre; ato janë një çështje zbatimi.

Është çështje e mençurisë dhe e pjekurisë; është çështje e bashkëpunimit dhe përfshirjes; është çështje e stabilitetit, sigurisë dhe bashkëjetesës paqësore në rajonin tonë.

Rezultati i referendumit në Maqedoni duhet të jetë një sinjal zgjimi që edhe marrëveshjet më të mira të mundshme, me mbështetje të qartë dhe të kujdesshme ndërkombëtare, nuk janë edhe aq të lehta për t’u zbatuar në një kontekst të ndërlikuar.

Unë shpresoj se Marrëveshja e Prespës do të gjejë rrugën e saj nëpër Parlamentin maqedonas dhe do t’ia hapë dyert për në NATO dhe Bashkimin Europian.

Ballkani nuk është as rajoni më i rëndësishëm, as vendi më i nxehtë në botë.

Por është rajoni ku Perëndimi, NATO-ja, SHBA-ja dhe BE-ja kanë bërë investimet më historike politike, ushtarake dhe ekonomike pas viteve 1990-të.

Dhe ashtu si Xhorxh Marshall do të thoshte: ‘Kur një gjë është bërë, është bërë e ka marrë fund sakaq… Hidhni sytë e shikoni para drejt qëllimit tuaj të ardhshëm’! Dhe teksa Ballkani mbetet një punë ende e papërfunduar, sigurimi i suksesit të plotë të investimeve afatgjata në këtë rajon do të ishte objektivi i ardhshëm.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here